Në shërbimin e Neurokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u realizua një operacion me teknikë inovatore, ku përmes një rruge të re, endoskopike transorbitale, u arrit të hiqet plotësisht një tumor beninj i trurit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot se “ndërhyrja për heqjen e tumorit u realizua përmes syrit. Kjo teknikë inovatore redukton rrezikun për pacientin, krahasuar me operacionet klasike të trurit”.
Koçiu bëri të ditur se ky sukses u arrit falë një bashkëpunimi të jashtëzakonshëm mes ekipit të neurokirurgjisë dhe kolegëve okulistë e maksilofacialë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Spitalit Universitar të Traumës.
Ministrja Koçiu shprehu mirënjohjen për ekipin e mjekëve: Prof. dr. Artur Xhumari, neurokirurg, shef shërbimi në QSUT, dr. Ermal Simaku, oftalmokirurg, QSUT, dr. Marjon Sako, kirurg maksilo-facial, SUT, dr. Maren Ruka, neurokirurg, QSUT, dr. Myfit Saraci, anestezist-reanimator, QSUNT, infermierët e sallës operatore: Refije Kadiu, Foti Çuro dhe Enriko Paluka, si dhe qarkullueset Manjola Pjetri, Elona Topuzi dhe Anxhela Gjoni.
Prof. dr. Artur Xhumari tha në videon e publikuar nga ministrja Koçiu në rrjetet sociale se “u realizua një operacion i veçantë duke përdorur një rrugë të re, e cila së fundmi është duke u eksploruar për potencialet e saj, rruga endoskopike transorbitale”.
“Operuam përmes syrit për të hequr një tumor që ishte brenda kokës dhe duke i pakësuar rrezikun të sëmurit që paraqet një operacion klasik për të hequr tumoret e kokës”, theksoi Xhumari.
Pacienti u shpreh se “kam pasur një shqetësim në kokë para disa kohësh, kisha një tumor mbrapa syrit të majtë dhe doktori vendosi të më operonte. Operacioni doli me sukses dhe jam shumë i kënaqur me punën që kanë bërë”./ata