Bashkimi Evropian është i kompletuar vetëm me shtetet e Ballkanit Perëndimor, deklaroi sot kancelari gjerman, Olaf Scholz duke prezantuar procedurat e samitit të Ballkanit, në kuadër të të ashtuquajturit Procesi i Berlinit.

”E ardhmja është në Evropë”, këmbënguli ai.

Ndërkohë, në këtë samit Scholz përgëzoi Kosovën për suksesin e saj në CEFTA dhe i bëri thirrje Serbisë dhe Kosovës që të kapërcejnë dallimet për të ardhmen e tyre evropiane, sipas DW.

Scholz vlerësoi progresin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në bashkëpunimin rajonal.

Ai theksoi veçanërisht kontributin e Kosovës dhe e përgëzoi për arritjet e fundit në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA).

“Dëshiroj ta përgëzoj Kosovën për kontributin që ka dhënë së fundmi. Diplomacia e marrëveshjes CEFTA është një arritje e madhe për bashkëpunimin rajonal”, theksoi Scholz.

Kancelari njoftoi nënshkrimin e dy dokumenteve të rëndësishme që do ta bëjnë jetën më të lehtë për njerëzit në rajon.

“Ne do të nënshkruajmë dy dokumente që do të lehtësojnë jetën e përditshme të njerëzve. Një plan i ri veprimi për tregun e përbashkët rajonal dhe një marrëveshje për aksesin në mundësimin e studimeve, të cilat do të zgjerojnë lëvizshmërinë e studentëve”, theksoi ai.

Serbia dhe Kosova, Thirrje për normalizim dhe integrim evropian

Në fund të fjalës së tij, kancelari theksoi rolin e Procesit të Berlinit si një platformë për zgjidhjen e konflikteve dypalëshe dhe vlerësoi angazhimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për paqen dhe bashkëpunimin.

”Është një angazhim i qartë për të zgjidhur çështjet dypalëshe dhe për të rënë dakord. Në mënyrë paqësore, kjo është ajo që ka të bëjë me Procesin e Berlinit”, theksoi ai.

Scholz përsëriti se do të vazhdojë të qëndrojë personalisht pranë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe t’i mbështesë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian./ata