Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) nxori për konsultim publik projektrregulloren “Mbi ndalimin e abuzimit me tregun”.

 

Sipas AMF-së, qëllimi i kësaj rregulloreje është përcaktimi i kërkesave dhe procedurave të nevojshme për ndalimin e abuzimit me tregun, që lidhet me tregtimin bazuar në informacion të privilegjuar, zbulimin e paligjshëm të informacionit të privilegjuar dhe manipulimin e tregut, me qëllim mbrojtjen e investitorit, sigurimin e integritetit të tregut dhe rritjen e besimit në treg.

 

Kjo rregullore zbatohet për të gjitha veprimet e cilitdo personi juridik apo individi, që përbëjnë abuzim tregu, të cilat përfshijnë, manipulim të çmimeve për të krijuar treg të rremë; tregtimin e bazuar në informacionin e privilegjuar dhe tregtimin me tituj të personave të organeve drejtuese.

 

Kjo rregullore zbatohet për veprimet dhe mosveprimet e çdo personi brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë kur ky person ushtron aktivitet nga Republika e Shqipërisë në lidhje me të gjitha instrumentet financiare të mëposhtme: të pranuara për tregtim në një treg të rregulluar ose për të cilat është paraqitur një kërkesë për tu pranuar për tregtim në një treg të rregulluar; të tregtuara në një platformë shumëpalëshe të tregtimit (PSHT), të pranuara për tregtim në një (PSHT) ose për të cilat është paraqitur një kërkesë për t’u pranuar për tregtim; të tregtuara në një platformë të organizuar të tregtimit; instrumentet financiare, që nuk parashikohen në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, kur çmimi apo vlera e tyre varet ose ka efekt në çmimin apo vlerën e instrumentit financiar të referuar në këto pika, duke përfshirë, por pa u kufizuar, kontratat e shkëmbimit për rrezikun e kreditit (credit default swaps) dhe kontratat financiare për diferencat.

 

Rregullorja aplikohet edhe për: kontratat e mallrave bazë, në rastet kur nuk janë produkte të shitjes me shumicë të energjisë, kur transaksioni, urdhri apo sjellja ndikon ose ka pasur për qëllim të ndikojë në çmimin apo vlerën e instrumentit financiar; llojet e instrumenteve financiare, duke përfshirë kontratat derivative për transferimin e rrezikut të kreditit, kur transaksioni, urdhri, kuotimi apo sjellja ka ndikuar ose ka pasur për qëllim të ndikojë në çmimin apo vlerën e një kontrate të mallrave bazë, ku çmimi apo vlera e kësaj kontrate varet nga çmimi apo vlera e këtij lloji të instrumentit financiar; sjelljen në lidhje me treguesit referencë (benchmarks).

 

Rregullorja aplikohet gjithashtu për çdo transaksion, urdhër apo sjellje për instrumentet financiare, pavarësisht nëse këto transaksione, urdhra apo sjellje ndodhin në një treg të rregulluar apo platformë/vend tregtimi.