“Këto dy vitet e fundit ritmet e rritjes së kredisë në lekë kanë qenë më pozitive se kredia në valutë, kjo jo vetëm për faktin e mbiçmimit të kursit të këmbimit, por për faktin që norma e interesit të kredisë në lekë ka qenë më e ulët se në vendet e BE-së.”
Kështu u shpreh Klodion Shehu, drejtor i departamentit të Stabilitetit Financiar në një intervistë për mediet, ku theksoi se, “norma e interesit të kredisë në lekë vijon të jetë më konkurruese se më parë, në krahasim me normën e interesit të kredisë në valutë”.
Banka e Shqipërisë përmes politikës monetare ka ulur normën e interesit për lekun në nivelin 3%, çka po reflektohet në rritjen e kredisë për ekonominë.
Sipas bankierit Shehu, kërkesa për kredi në lekë ka qenë më e fortë dhe oferta ka qenë më e mirë.
Gjithashtu bëri të ditur ai, vitet e fundit ka një rritje të konvertimit të kredisë në valutë, në monedhën vendase dhe kjo pasi normat e interesit aktualisht janë shumë më të ulëta se ç’kanë qenë 5 apo 10 vite më parë.
Shehu theksoi se, BSH-ja është gjithmonë në favor të marrjes së huamarrjes në monedhën kombëtare.
Kjo sipas tij, sepse i bën huamarrësit më të kujdesshëm në bilancin e tyre duke pasur parasysh se në çmonedhë i kanë të ardhurat e tyre dhe në përgjithësi borxhi duhet marrë në atë monedhë që mbizotëron në të ardhurat e huamarrësit.
Norma mesatare e interesit për kredinë në lekë në fund të 6-mujorit 2024 shënoi nivelin 7%. Kredia për muajin gusht 2024 shënoi vlerën 41.4 miliardë lekë, me rritje 42% krahasuar me një vit më parë./ata