Agroturizmet po kthehen në qendra të zhvillimit ekonomik rural, duke krijuar një perspektivë të mirë në nxitjen e zinxhirit të prodhimit ushqimor.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau sot në rrjete sociale modelin e agroturizmit “Rrezja e Diellit,” aty ku mikpritja e ngrohtë e familjes Çullhaj, ka ngritur një oaz qetësie dhe relaksi.
Denaj tha se në këtë pikë agroturistike frekuentohet nga turistë vendas dhe të huaj, që shijojnë shijen autentike të kulinarisë shqiptare dhe produktet cilësore “Made in Albania”, nga ferma në tryezë.
“Vera e tyre artizanale, prodhuar me kujdes nga vreshtat e fermës, pasqyron traditën, pasionin dhe përkushtimin e familjes për të ruajtur vlerat e prodhimeve shqiptare”, tha Denaj.
Ferma ka dy vite që është hapur. Aty gjenden dy hektarë vreshta dhe është e rrethuar nga ullinj shekullorë. Produktet e zonës janë baza e gatimeve që u serviren vizitorëve të shumtë.
Ndërsa kantina e verës është një aset i shtuar në gamën e prodhimeve cilësore “Made in Albania”.
Sipërmarrësit në këtë investim familjar shprehen se agroturizmi i tyre tashmë po funksionon edhe si qendër ekonomike për fshatin e tyre, pasi ata u blejnë fermerëve të zonës produkte të ndryshme për të plotësojnë nevojat e kuzhinës dhe klientëve./ata