Vetëm pak ditë përpara nisjes së edicionit të 8-të të Maratonës së Tiranës, drejtoresha e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Anisa Ruseti, së bashku me një grup pune nga bashkia e Tiranës dhe inspektorë të ndryshëm, kanë dalë në terren për të mbikëqyrur çdo aspekt të punës, mirëmbajtjes dhe të përgatitjeve, deri në ditën finale të Maratonës.
“Të angazhuar me përgatitjet e fundit për Maratonën e Tiranës, me një ekip të përkushtuar që mbikëqyrin në mënyrë aktive të gjitha punët e nevojshme të mirëmbajtjes. Përpjekjet tona përfshijnë inspektime të plota të shtigjeve, krasitjen e degëve të pemëve, sistemin e korsive të vrapit dhe zbatimin e masave paraprake për të siguruar një event të sigurt dhe pa problem”, thuhet në rrjetet sociale të bashkisë së Tiranës.
Kujtojmë që Maratona e Tiranës zhvillohet në 20 tetor, ndërsa kryeqyteti është gati të mirëpresë rreth katër mijë vrapues nga vende të ndryshme të botës. Vrapues nga Andorra, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Hungaria, India, Irlanda, Japonia, Lituania, Malta, Holanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Rumania, Rusia, San Marino, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Afrika e Jugut, Spanja, Suedia, Zvicra, Turqia, Ukraina, Anglia, Meksika, Maroku, Kenia, Kanadaja do të jenë pjesë e këtij aktiviteti sportiv.
Disa ditë më parë, ishte kryebashkiaku Veliaj që kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për të Tiranës për kufizimin e qarkullimit të lëvizjes në disa prej rrugëve në kryeqytet në ditën e maratonës.
“Do të doja shumë që ta përdorim këtë mundësi për të komunikuar me qytetarët, në mënyrë që kush preket nga perimetri i maratonës, ose të dalë pak më herët nga shtëpia, nëse do shkojnë diku për fundjavë, ose t’i lënë për pas dreke lëvizjet. Përveçse emergjencave, çdo qytet, edhe Nju-Jorku, Tokio, Londra, Berlini, çdo vend që ju keni parë, maratonën e respekton si një mundësi e jashtëzakonshme për sportin. Nëse një turisti i duhen 10 ditë për të parë çdo gjë në Tiranë, ata të maratonës praktikisht për 1-2 orë do shohin gjithë pikat kryesore të Tiranës dhe do marrin shijen e qytetit tonë”, theksoi Veliaj.
Maratona e Tiranës është një manifestim për një jetesë të shëndetshme, por edhe një mundësi për t’u marrë me sport./ata