Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka deklaruar se sulmet izraelite ndaj forcave të Kombeve të Bashkuara (OKB) duhet të “shmangen absolutisht”, duke theksuar se sulmet e tilla nuk mund të “justifikohen me asnjë lloj incidenti apo aksidenti”.

Duke folur në një konferencë për media pas takimit të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së në Luksemburg, Borrell tha se ministrat e jashtëm të BE-së përsëritën mbështetjen e tyre të plotë për Forcën e Përkohshme të OKB-së në Liban (UNIFIL).

Borrell tha se BE-ja “njëzëri” dënoi bombardimet izraelite në lokacionin e paqeruajtësve të OKB-së në Liban, duke shtuar se “një tjetër vijë e kuqe në mënyrë të rrezikshme është kaluar në Liban nga ushtria izraelite”.

Në përgjigje të një pyetje lidhur me sulmin izraelit kundër misionit UNIFIL, Borrell tha se “duket paksa ironike të flasim për të ruajtur paqen kur nuk ka paqe”.

Dje, tanket izraelite me forcë hyrën në një nga lokacionet e misionit UNIFIL, duke shënuar shkeljen dhe sulmet e fundit nga ushtria izraelite, të cilat plagosën disa trupa paqeruajtëse.

“Libani dhe populli i tij po paguajnë një çmim të rëndë për operacionet ushtarake izraelite. Numri flet vetë, 1.2 milionë njerëz, 20 për qind e të gjithë popullsisë së Libanit, janë zhvendosur me forcë”, theksoi Borrell.

Lidhur me situatën e rëndë humanitare në Rripin e Gazës, ku të paktën 42.300 njerëz janë vrarë nga sulmet izraelite që nga 7 tetori i vitit 2023, Borrell u shpreh se: “Kam frikë se ligji humanitar është nën rrënojat e Gazës dhe kam frikë se viktimë e kësaj lufte është edhe ligji humanitar”.

Për Iranin, shefi i politikës së jashtme të BE-së njoftoi se Këshilli i Punëve të Jashtme i BE-së ka miratuar sanksione për dërgesat e raketave balistike iraniane në Rusi.

“Ky është sanksioni i parë kundër Iranit për sigurimin e raketave balistike”, tha ai./aa