Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së, Lloyd Austin i bëri thirrje ministrit izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant të marrë masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e elementeve të Forcave të Përkohshme Paqeruajtëse të OKB-së në Liban (UNIFIL) dhe Forcave të Armatosura Libaneze.

Në deklaratën e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes thuhet se Austin dhe Gallant kanë zhvilluar bisedë telefonike për situatën në Lindjen e Mesme.

Austin i bëri thirrje Gallantit të marrë masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e elementëve të UNIFIL-it dhe Forcave të Armatosura Libaneze dhe i tha homologut të tij izraelit se "në vend të operacioneve ushtarake në Liban, ka nevojë të zgjidhet rruga diplomatike e cila do të garantojë sigurinë e civilëve sa më shpejt të jetë e mundur".

Duke u shprehur se ishte i shqetësuar për situatën e rëndë humanitare në Rripin e Gazës dhe se duhet të ndërmerren hapa në këtë drejtim, Austin i shprehu ngushëllime homologut të tij izraelit për ushtarët izraelitë që humbën jetën në sulmin me dron të Hezbollahut si dhe përsëriti "angazhimin" e vendit të tij për sigurinë e Izraelit.

Në deklaratën e Hezbollahut thuhet se një sulm është kryer me flotën e dronëve ndaj bazës stërvitore të Brigadës Golani të ushtrisë izraelite në rajonin Binyamina në jug të qytetit Haifa, në solidaritet me rezistencën palestineze, për mbrojtjen e popullit të Libanit dhe në përgjigje të sulmeve izraelite ndaj lagjeve Basta dhe Nuwayri në Bejrut.

Ushtria izraelite njoftoi se në sulmin me dron nga Hezbollahu ndaj një baze ushtarake në qytetin Haifa, 4 ushtarë të saj humbën jetën dhe 58 të tjerë, përfshirë 7 ushtarë u plagosën rëndë./aa