Presidenti i Republikës së Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, tha se dyert e vendit të tij janë të hapura për sipërmarrësit dhe investitorët nga Serbia.
Erdoğan qëndroi në një vizitë zyrtare në Serbi pas vizitës në Shqipëri dhe sonte së bashku me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq ka marrë pjesë në Forumin e Biznesit, ku janë mbledhur rreth 330 biznesmenë nga Serbia dhe Türkiye.
Në fjalën e tij, Erdoğan tha se delegacioni i madh që kanë ardhur për të vizituar Beogradin tregon se sa rëndësi i kushtojnë bashkëpunimit me Serbinë. Ai shtoi se dy vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyera të bazuara në lidhjet historike dhe kulturore dhe se ekziston një vullnet i ndërsjellë për të përmirësuar bashkëpunimin në të gjitha fushat.
Presidenti Erdoğan theksoi se Türkiye dhe Serbia kanë bërë një rrugë të gjatë në një kohë të shkurtër dhe kanë rritur vëllimin e tregtisë në dy miliardë dollarë. Ai shtoi se qëllimi i radhës është pesë miliardë dollarë.
“Investimet e kompanive turke që hapin vende të reja pune në Serbi po rriten dita-ditës. Ne kemi rreth 850 investitorë me kapital turk në Serbi. Vlera e shtuar e prodhuar nga këto kompani është rritur nga 1 milion dollarë në 405 milion dollarë në 12 vitet e fundit”, tha Erdoğan.
Ai shtoi se të dy vendet po punojnë së bashku për të ruajtur stabilitetin dhe prosperitetin në rajon dhe se kanë ndërtuar njëkohësisht ekonomi të forta.
“Ne punojmë pa u lodhur për të zgjeruar horizontet e botës sonë të biznesit me nisma novatore dhe efektive në mbarë botën, së bashku me ju, përfaqësues të vlerësuar të diplomacisë sonë tregtare. Nën udhëheqjen e mikut tim të dashur, Serbia po zbaton reforma serioze në ekonomi, si dhe në të gjitha fushat dhe ne po e ndjekim me vëmendje dhe me interes ngritjen ekonomike të Serbisë. Prandaj nuk është për t'u habitur që më shumë se 60 për qind e investimeve të huaja në rajon, në vlerë prej 4,5 miliardë eurosh, janë investuar në Serbi në vitin 2023. Ne e shohim bashkëpunimin tonë ekonomik dhe tregtar si lokomotivë të marrëdhënieve tona dypalëshe”, tha Erdoğan.
Duke theksuar se kompanitë turke në Serbi punësojnë 9.600 punëtorë, Erdoğan tha se operacionet e bankës turke Halkbank tregojnë se sa shumë beson Türkiye në të ardhmen e ndritur të ekonomisë serbe.
“Nuk ka dyshim se miku im i dashur, presidenti Vuçiq, i cili nuk heziton asnjëherë të mbështesë investitorët tanë, merret personalisht me problemet e kompanive tona dhe gjithmonë e mban derën hapur për to, ka dhënë një kontribut të madh në arritjen e këtyre sukseseve”, tha Erdoğan.
Ai u shpreh se pajtohet me Vuçiqin se Türkiye dhe Serbia kanë mundësi të përmirësojnë ndjeshëm bashkëpunimin e tyre në të gjitha fushat, duke shtuar se do të punojnë së bashku në këtë drejtim.
“Ka një potencial të konsiderueshëm në fushën e shëndetësisë, energjisë, teknologjive të informacionit dhe komunikimit. Ne duhet të përfitojmë më shumë nga këto fusha. Do të jetë në interes të të dy vendeve që të ndërmarrin hapa të rëndësishëm së bashku, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes. Mendoj se është shumë e rëndësishme të rrisim dialogun tonë, veçanërisht në fushën e industrisë së mbrojtjes. Dua të them se ne jemi të gatshëm të punojmë me Serbinë në projekte në kuadër të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane dhe Evropës Dixhitale”, tha Erdoğan.
Ai shtoi se turizmi shquhet si një nga sektorët në të cilin Türkiye dhe Serbia kanë shënuar sukseset më të mëdha në bashkëpunim.
"Shpresoj që numri i turistëve që vijnë në Türkiye nga Serbia në fund të këtij viti do të kalojë rekordin prej 360 mijë nga viti 2022. Na vjen mirë që qytetarët turq janë në vendin e parë në mesin e turistëve që vizitojnë Serbinë. Sigurisht që këto shifra do të kenë rritje pas miratimit të protokollit të udhëtimit me kartat e identitetit. Ne presim një rritje të konsiderueshme”, tha Erdoğan.
Duke thënë se ai dhe homologu i tij Vuçiq diskutuan të gjitha aspektet e bashkëpunimit në një atmosferë konstruktive dhe të sinqertë, Erdoğan theksoi se ata forcuan bazën kontraktuale të marrëdhënieve të tyre me 11 marrëveshje të reja të nënshkruara në fusha të ndryshme.
“Edhe një herë kemi parë se ekziston një vullnet i fortë për të forcuar bashkëpunimin mes Türkiyes dhe Serbisë. Unë e di mirë rëndësinë dhe vlerën që miku im i nderuar i jep Türkiyes, marrëdhënieve të ngushta me Türkiyen dhe botën e biznesit turk. Ajo që kemi arritur sot në marrëdhëniet mes dy vendeve është e jashtëzakonshme. Përpjekjet personale të Vuçiqit kanë një rol të madh në këtë nivel”, tha Erdoğan./aa