Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner reagoi sot me rastin e çeljes së Konferencës Ndërqeveritare dhe të hapjes së grup-kapitullit të parë të bisedimeve në procesin e anëtarësimit në BE.

Ai theksoi se, hapja e grup-kapitullit të parë ditën e sotme është një hap i rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

“Urimet e mia të përzemërta për Shqipërinë. Ky hap është rezultat i përpjekjeve shumëvjeçare të Shqipërisë para së gjithash në kuadër të reformës në drejtësi, konsolidimit të shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit”, u shpreh Bergner.

“Është merita e të gjithë qytetarëve shqiptarë, që megjithë vonesat dhe sfidat kanë qëndruar në vizionin e tyre për një Shqipëri demokratike dhe moderne si pjesë e Bashkimit Evropian”, nënvizoi ai.

“Për Gjermaninë është e qartë: Shqipëria dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e familjes evropiane, vendi i tyre është në BE. Procesi drejt këtij qëllimi bazohet në rezultate dhe do të kërkojë edhe në të ardhmen reforma pjesërisht të vështira”, tha Bergner.

Në këtë kontekst, shtoi ai, “nevojitet kontributi konstruktiv i të gjitha forcave politike të vendit, çka është njëkohësisht edhe ajo që mund të presin qytetarët e këtij vendi. Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë me të gjithë forcën e saj në rrugën drejt BE-së dhe reformat e nevojshme”./ata