Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti e cilësoi sot si një lajm të jashtëzakonshëm hapjen e grupkapitullit të parë negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.
“Lajm i jashtëzakonshëm nga Luksemburgu për Shqipërinë, shqiptarët dhe gjithë rajonin e Europës Juglindore”, u shpreh Ahmeti në një reagim.
Ai përgëzoi përzemërsisht të gjithë shqiptarët, Kryeministrin Edi Rama dhe gjithë ekipin që punoi pa u lodhur drejt hapjes së kapitujve të parë negociues.
“Uroj që Shqipëria të punojë fort në drejtim të realizimit të objektivit për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2030”, theksoi ai.
Ahmeti gjithashtu u shpreh i zhgënjyer që Maqedonia e Veriut nuk është sot në krah të Shqipërisë për arsye të bllokimit të rrugëtimit evropian.
“S’ka se si mos të përmend dëshpërimin që Maqedonia e Veriut nuk është sot në krah të Shqipërisë për arsye të bllokimit të rrugëtimit tonë evropian si pasojë e moszbatimit të kornizës negociuese të miratuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Maqedonia e Veriut”, tha ai.
“Ne duhet bërë çmos që të sigurojmë dhe vulosim të ardhmen evropiane për qytetarët tanë duke demonstruar lidership dhe përcaktim. Alternativë tjetër, nuk kemi! Evropa është rruga jonë e vetme”, theksoi ai./ata