Aktorja e mirënjohur e teatrit dhe filmit shqiptar Yllka Mujo, feston sot ditëlindjen. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ndau në rrjetet sociale një kolazh imazhesh nga interpretimet e shumta të aktores në kinematografinë shqiptare.
“Me talentin dhe përkushtimin për skenën dhe ekranin, me një sërë rolesh dhe personazhesh, Yllka është ndër aktoret më të vlerësuara dhe të dashura të artit skenik. Rrugëtimi i saj artistik ka frymëzuar breza të tërë, duke sjellë emocione të paharrueshme në çdo interpretim. Edhe 100 Yllka!”, shkroi ministri Gonxhja duke uruar aktoren.
Yllka Mujo lindi në Tiranë, më 15 tetor 1953. Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve, më 1974 u emërua në Teatrin Popullor, ku interpretoi në dhjetëra shfaqje, midis të cilave te “Orët e Kremlinit” e Pogodin, “Luiza Miler” e Shilerit, “Përmbytja e Madhe” e K. Jakovës, “Vizita e Inspektorit” e Pristlit, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Zbutja e kryeneçes” e Shekspirit, “Natë me hënë” e Kadaresë, “Këngëtarja tullace” e Ioneskos, “Zonjusha Zhuli” e Stinbergut, “Kujdes! Kafshon” e A. Gernit.
Gjithashtu Yllka Mujo ka interpretuar në filmat “I teti në bronz”, “Malet me blerim mbuluar”, “Zonja nga qyteti”, “Kur hidheshin themelet”, “Taulanti kërkon një motër” etj. Publiku e ka ndjekur dhe duartrokitur në transformimet e saj nga drama në komedi, të cilat Yllka Mujo i realizon mjeshtërisht./ata