Më 20 maj të vitit 1903 lindi në Shkodër shkrimtari, përkthyesi, gazetari, mësuesi e botuesi Ernest Koliqi.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujtoi sot këtë erudit i cili ia kushtoi jetën e tij kryesisht letërsisë, por nuk i mungoi as skenës politike. Pas pushtimit nga Italia, Koliqi u emërua ministër i Arsimit dhe më vonë kryetar i Këshillit Koorporativ Fashist. Përtej kritikave për rolin e tij  në politikë, veprat si “Hija e maleve”, “Tregtarë flamujsh” dhe “Pasqyrat e narcizit”, janë ato që e vendosin në piedestal të letërsisë.

Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, Koliqi jetoi në Romë ku drejtoi revistën “Shejzat” si dhe katedrën e Gjuhës Shqipe, mbi bazën e së cilës u ngrit edhe Instituti i Studimeve Shqiptare. Në vitet `60 nisi përkthimin e “Lahutës së Malcis” në italisht dhe punoi edhe për të tjera vepra në mënyrë që të huajt të njihnin letërsinë shqipe./ata