Ndërkohë që Shqipëria ka ligje ekzistuese që rregullojnë produktet e ndërtimit, ato nuk përputhen plotësisht me standardet gjithëpërfshirëse të vendosura nga rregullorja e BE-së në lidhje me marketingun dhe performancën e produkteve të ndërtimit. Kjo nënkupton që shumë nga produktet që prodhohen në përputhje me legjislacionin shqiptar, janë të një cilësie të dobët.

Në një studim të kryer nga Këshilli i Investimeve, rezultoi gjithashtu se në Shqipëri mungojnë rregulloret lidhur me kërkesat bazë për punimet e ndërtimit si rezistenca dhe qëndrueshmëria mekanike, siguria në rast zjarri, higjiena, shëndeti dhe mjedisi, siguria dhe aksesueshmëria në përdorim, mbrojtja nga zhurmat, ekonomia e energjisë dhe ruajtja e nxehtësisë, si edhe përdorimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore.

Ndërtimi është një nga sektorët kryesorë të ekonomisë. Sipas anketës dhe takimeve konsultative me sektorin e ndërtimit, prodhuesit po operojnë në një mjedis të vetërregulluar nga vetë ata, pasi kuadri ligjor përkatës nuk është ende në përputhje me acquis të BE-së.

Ka kulla të bukura të projektuara nga studio serioze të huaja, por zbatimi ndonjëherë bëhet përmes kompanive vendase të cilat jo gjithmonë respektojnë standardet përkatëse dhe kjo është një çështje shumë delikate” – janë shprehur disa nga aktorët e biznesit të ndërtimit.

Disa kompani me reputacion zbatojnë vullnetarisht rregullat dhe standardet e BE-së, veçanërisht ato që eksportojnë në tregun e BE-së. Megjithatë, ky aderim i vendos ato në një disavantazh konkurrues brenda tregut shqiptar, pasi kompanitë e tjera nuk janë të detyruara të ndjekin të njëjtat standarde. Për rrjedhojë, tregu vendas ka një pozitë të pabarabartë për produktet e ndërtimit, duke ndikuar negativisht në konkurrencën e ndershme dhe në ecurinë e përgjithshme të punimeve të ndërtimit në Shqipëri./Scan