Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka komentuar vendimin e marrë nga opozita për zhvendosjen e protestës përpara Parlamentin Evropian në datë 23 tetor, duke e cilësuar atë si të drejtë. 

Në një konferencë për media, Meta tha se opozita dhe shqiptarët kudo në botë duhet të dëgjohen para këtyre institucioneve, në mënyrë që të mos lejohet kapja e shtetit.

“Është një vendim i drejtë dhe pak i vonuar. Opozita dhe shqiptarët kudo në botë duhet të dëgjohen para këtyre institucioneve të mos lejohet më kapja e shtetit, një vendi anëtar të NATO-së dhe që aspiron BE-në”, tha Meta.

Kreu i PL-së komentoi dhe hapjen e grup-kapitujve të parë me BE-në, ku tha se pocesi meriton përpjekje dhe sakrificë.

Ndër të tjera ai tha se, Shqipëria nisi negociatat si vendi ku nuk bëhen zgjedhje të lira dhe me 3 të burgosur politikë.

“Shqipëria nis negociatat si vendi me numrin më të lartë të azilkërkues në BE, ua kalon dhe vendeve që janë në luftë civile.

Si një vend ku nuk respektohen kriteret e Kopenhagës, ku është asgjësuar llogaridhënia, sepse është asgjësuar kjontrolli dhe balanca e pushteteve. Ku institucionet e pavarura janë të kapura nga qeveria dhe njëkohësisht, i nis negociatat si vendi që jo vetë nuk bën zgjedhje të lira dhe të ndershme, por që ka tre të burgosur politik brenda një vitit, duke filluar nga Berisha, Beleri dhe deputetin zemërluan të PD-së Ervin Salianji.

Anëtarësimi i Shqipërisë në BE është proces që meriton përpjekje dhe sakrificë, sepse është e vetmja rrugë q shtëpia jonë e përbashkët të ketë siguri dhe begati, që për fat të keq ende bashkëqytetarët tanë po nxitojnë ta kërkojnë vetëm në vendet perëndimore dhe matanë oqeanit”, tha Meta./GazetaShqiptare