Në Ditën Ndërkombëtare të Ecjes në Natyrë, ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro ka ndarë në rrjetet sociale një video që tregon nismën e fundit, atë të shënjimit të shtigjeve natyrore në Parkun Kombëtar të “Malit të Dajtit”.

“Dita Ndërkombëtare e Ecjes në Natyrë vjen këtë vit me shifra fantastike nga vizitorët që kanë frekuentuar zonat e mbrojtura në të gjitha përmasat e tyre. Ndaj, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura punon çdo ditë për të ofruar siguri dhe përfshirje sa më cilësore të vizitorëve në rrjetin e zonave të mbrojtura AdZM Tiranë, përgjatë gjithë sezonit veror ka mundësuar përmirësimin e shtigjeve natyrore, nëpërmjet markimit dhe vendosjes së tabelave të reja orientuese”, shprehet ministrja në postim.

Grupet e punës së AdZM Tiranë janë në terren prej shumë kohësh duke markuar disa nga shtigjet apo zonat në Parkun Kombëtar të Dajtit, nga Qafa e Qershisë, te Maja e Tujanit.

Qëllimi i Ditës Ndërkombëtare e Ecjes në Natyrë është evidentimi i rëndësinë që ka natyra, si dhe promovimi i vendeve turistike në funksion të zhvillimit të turizmit malor dhe një mënyrë për të kaluar kohën e lirë.

Zonat e mbrojtura vijojnë të tërheqin një numër të lartë vizitorësh. Ato janë oaz i biodiversitetit në Shqipëri. Zgjerimi i Zonave të Mbrojtura në Shqipëri synon të rrisë integritetin e këtyre zonave, për gjendjen e paprekur të tyre, krahasuar me zona të tjera të vendit, për biodiversitetin e lartë, për habitatet e rralla që bartin./ata