Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja priti në një takim ish-Presidentin Alfred Moisiu, pinjoll i të njëjtës familje me aktorin e madh Aleksandër Moisiu.

Gjatë takimit Gonxhja dhe Moisiu diskutuan për një sërë aktivitetesh dhe botimesh në nderim të 145-vjetorit të lindjes së aktorit të njohur, Aleksandër Moisiu.

“Një nga pikat më interesante të bisedës sonë ishte angazhimi për ngritjen e një muzeu, që do të nderojë krijimtarinë e këtij artisti të shquar në qytetin e tij të origjinës, Kavajë”, tha Gonxhja.

Ministri Gonxhja u shpreh se “kjo nismë do të kontribuojë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe do t’i ofrojë brezave të ardhshëm mundësinë për të njohur më mirë jetën dhe veprën e Aleksandër Moisiut, duke lënë një gjurmë të përhershme në historinë tonë”.

Aktori me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu lindi më 2 prill të vitit 1879 në Trieste.

Moisiu performoi në skenën austriake, ku mishëroi role kryesore të një spektri të gjerë të veprave të letërsisë europiane, duke nisur që prej tragjedive antike greke e deri tek bashkëkohësit. Karriera e tij do të niste në moshën 19-vjeçare, kur filloi të ekzekutonte role minore si figurant në skenën e Burgtheatër.

Më pas u angazhua në teatrot e Pragës dhe të Berlinit, ku u shqua për zotësi aktoriale, veçanërisht në interpretimin e rolit të Edipit mbret dhe të Hamletit./ata