Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, deklaroi sot se, organizimi i kampionatit Evropian U-21 në Shqipëri do të sjellë përfitime pozitive për të gjithë vendin.

Duka, gjatë një interviste televizive, shpjegoi pse bashkëpunimi me Serbinë për të mirëpritur finalet e Evropianit U-21 në vitin 2027 është pozitiv.

“Nëse duhet të rikthehem përsëri pse ne kemi vendosur që të aplikojmë për të pritur këtë Evropian në Shqipëri për herë të parë në historinë e tij. Të bashkëpunojmë me një federatë tjetër, siç është ajo serbe, ishte një mundësi më shumë për ta pasur këtë kampionat në Shqipëri, ndryshe ishte e pamundur”, tha Duka.

“Le ta gjykojmë në këndvështrimin pozitiv se çfarë të mirash i sjell Shqipërisë. Kemi benefite sportive, edhe benefite politike, nëse i analizojmë”, shtoi ai.

Duka nënvizoi se ende nuk është vendosur për organizimin e Evropianit.

“Ne ende jemi në garë dhe ende nuk është vendosur, por gjasat janë që ne do jemi fitues dhe do të miratohet ky organizim. Jam nisur nga benefitet sportive, por edhe mesazhet që jep bashkëpunimi me një federatë tjetër. Mesazhi që jep është pozitiv, është mesazh paqeje, bashkëpunimi”, tha ai.

“Ne na intereson që të kemi paqe jo luftë. Ne nuk e harrojmë se çfarë ka ndodhur, se çfarë historie ka. Por unë mendoj që të ndërtojmë të ardhmen në paqe. I shërben shumë edhe Kosovës edhe statusit që pret Kosova apo perspektivës së Kosovës”, tha Duka.

I pyetur nëse ka folur me Lorik Canën, Duka tha se, “E kam dëgjuar Lorikun kur ka folur për këtë çështje. Po ta dëgjoni, atëherë mund ta komentoni. Disa media duan ta komentojnë negativisht. I mirëpres të gjithë, secili ka këndvështrime të ndryshme. Por unë i ftoj që të shohin pozitivisht. Mesazhi është pozitiv. Jam i sigurt që Kosovës deri në 2027 do t’i kontribuojë në statusin e saj. Është një gjest pozitiv, një mesazh paqeje dhe një mesazh bashkëpunimi.”

Incidentet në Çeki, Duka: Ngjarje që nuk kanë lidhje me futbollin

Kreu i Federatës foli edhe për incidentet e ndodhura në Çeki me flamujt shqiptarë, duke theksuar se janë ngjarje që nuk kanë lidhje me futbollin.

“Janë gjëra që nuk kanë lidhje me futbollin dhe nuk duhet të ekzistojnë. Futbollisti nëse do të arrijë të shohë jashtë fushës së gjelbër e ka të vështirë të përqendrohet në lojë dhe kur futet në fushë përqendrohet në punën e tij. Unë nuk e di i kanë parë apo jo, por unë faktikisht nuk i kam parë gjatë lojës në stadium. Flamujt e vendosur ishin shumë larg dhe nuk dukeshin, por gjithsesi janë ngjarje sporadike që nuk kanë lidhje me lojën dhe futbollin. Nuk duhet të ekzistojnë”, tha Duka.

“Unë nuk besoj që ne duhet ta përgjithësojmë dhe të themi që çekët janë kundër shqiptarëve. Nuk është kjo sjellja dhe kultura e popullit çek kundër shqiptarëve. Ashtu sikurse nuk është kultura jonë që të fishkëllejmë himnin gjeorgjianë, por kishte disa njerëz që e bënë atë gjë. Kjo nuk duhet të ndodhi është e dënueshme. Ato që e kanë bërë në Çeki këtë gjë janë një grup njerëzisht ose një individ apo dy. A kanë qenë të shtyrë apo të paguar dhe për çfarë arsye, i takon më shumë organeve kompetente dhe institucioneve të Çekisë për ta vërtetuar. Shije shumë e keqe për futbollin në përgjithësi dhe për ne. Mund të kishte një reagim më të shpejtë nga skuadra dhe stafi që ishin në fushë, por fakti që përqendrohen në lojë ka bërë që të mos i shohin. Momenti që jemi sinjalizuar në fakt nëpërmjet atyre që i kanë parë në ekran dhe na i kanë dërguar me WhatsApp ne kemi ndërhyrë dhe kemi kërkuar që të hiqen dhe të largohen”, theksoi Duka.

Presidenti i FSHF-së u shpreh se, “nuk janë këto fenomenet dhe sjelljet e futbollit që ne duhet ti përgjithësojmë, këto janë grupe njerëzisht dhe fenomene që nuk duhet të ndodhin. Mund të ketë forca të interesuara për axhendat e tyre politike që mund t’i shtyjnë këto. Mund ta bëjnë në Çeki ose në një shtet tjetër. Nuk arritën të bëjnë asgjë në Gjeorgji, pasi sjellja e tifozëve të tyre ishte korrekte në stadium, madje mund ta konsiderojmë një lloj leksioni duartrokitjen që ato i bënë himnit kombëtar shqiptar. Mendoj që nuk ishte pa qëllim pasi edhe ato nuk e kanë përjetuar mirë që një pjesë e tifozëve shqiptarë ja kanë fishkëllyer himnin në Tiranë”.

Duka theksoi se padyshim që ka masa ndaj këtyre sjelljeve.

“Ne jemi dënuar për fishkëllimin e himnit kombëtar gjeorgjian në Tiranë me 12.500 euro nga UEFA. Pa dyshim që gjoba për flamujt apo për vendosjen mbrapsht të tyre me qëllim negativ në Çeki do të ketë një gjobë akoma më të madhe për ta sepse këto janë rregullat e futbollit. Të gjitha vendet kanë të njëjta të drejta në UEFA, rregullat janë të njëjta për të gjithë. Bashkëpunimi dhe solidariteti janë parimi kryesor dhe të gjithë komisionet e UEFA-s që marrin vendime janë nga të gjithë vendet dhe gjobat apo masat funksionojnë për të gjithë”, tha Duka./ata