Migracioni i paligjshëm dhe lufta kundër Krimit të Organizuar ishin në qendër të diskutimit gjatë një takimi online të zhvilluar ndërmjet Sekretarit të Mbretërisë së Bashkuar Yvette Cooper si dhe ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha.

Kështu bëri me dije ministri i Brendshëm, në një postim në rrjetet sociale, ku nënvizoi se gjatë një takimi online, u vlerësuan lidhjet e forta politike, bashkëpunimi dhe partneriteti i ngushtë mes dy vendeve tona.

Ministri Hoxha bën të ditur se dy palët kanë shprehur gatishmërinë për të vazhduar koordinimin për finalizimin e dokumentit të Dialogut kundër Krimit të Organizuar (SOC Dialogue).

“Diskutuam mbi Dokumentin e Dialogut kundër Krimit të Organizuar (SOC Dialogue) dhe shprehëm gatishmërinë për të vazhduar koordinimin për finalizimin e tij. Dakordësuam që Dokumenti të nënshkruhet gjatë vizitës së Nënsekretarit të Dytë të Përhershëm të Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, në Dhjetor 2024. Vlerësova mbështetjen e palës britanike për përfshirjen e masave të reja në Dokument dhe vijimin e bashkëpunimit për realizimin e tyre, si dhe materializimin në variantin final të Dokumentit”, shkruan ministri.

Migracioni i paligjshëm, mbetet sfidë për të dyja vendet, bën të ditur ministri Hoxha, ndërsa thekson se taskforca e përbashkët për Migracionin uli me 90% mbërritjen e anijeve të vogla në brigjet britanike.

“Gjatë bisedës me Sekretaren e Shtetit, Cooper, diskutuam edhe për migracionin. Nënvizuam se bashkëpunimi midis dhe në këtë fushë përfaqëson një model të suksesshëm, e adresuam migracionin e paligjshëm si një prej sfidave më kritike, me të cilën përballen të dyja vendet.

Theksuam se: Krijimi dhe funksionimi i Taskforcës së Përbashkët të Migracionit ka sjellë ulje të konsiderueshme, me mbi 90%, të mbërritjeve të anijeve të vogla shqiptare në brigjet britanike; Përfshirja e Kosovës në Taskforcën e Përbashkët shënon një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të qasjes rajonale”, shkruan ministri Hoxha.

Ministri i Brendshëm nënvizon më tej se ka vlerësuar asistencën britanike për zbatimin sa më efektiv të ligjit të ri të Policisë Shtetit, kryesisht në: Hartimin e akteve nënligjore sa i përket fushës së krimit të organizuar dhe forensikës; Organizimin e ri të Policisë së Shtetit, duke marrë në konsideratë parashikimet ligjore mbi formën e re të organizimit të Departamentit të Policisë Kriminale; Përzgjedhjen e lidershipit të ri të strukturave policore.

“Gjithashtu, vlerësova ndihmën e ofruar nga Mbretëria e Bashkuar, përmes Projektit “Forensic for Albania”, si pjesë e bashkëpunimit tonë në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet dy ministrive. Ky projekt 3-vjeçar është thelbësor për përmirësimin e kapaciteteve teknike e ligjore të Shqipërisë në fushën e ADN-së dhe të shkencave ligjore”, shkruan Hoxha./ata