Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti sot laureatin e Çmimit Nobel për Paqe, Dr. Denis Mukwege, i cili, si u shpreh Kurti është burim frymëzimi për miliona njerëz anembanë botës por edhe mbështetës i përpjekjeve të Kosovës për drejtësi dhe paqe.

Gjatë takimit në Kryeministri, Kurti bisedoi me të për përkrahjen ndaj të mbijetuarave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Bashkë me organizatat e grave dhe të mbijetuarat, jemi të përkushtuar për procese të drejtësisë tranzicionale të përqendruara te viktimat dhe me ndjeshmëri gjinore. Me këtë qëllim kemi miratuar për herë të parë pas përfundimit të luftës Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale. Kemi filluar procesin e dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, dhe jemi të lumtur që në Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, është angazhuar edhe zonja Shyrete Tahiri Sulimani”, u shpreh Kurti.

Sipas tij, përkundër traumave të rënda nga përvoja të pashlyeshme e kujtime të hidhura, të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës kanë treguar forcë të jashtëzakonshme për të ndërtuar një jetë të re./ata