Bernhard Gademann thotë se shkolla private zvicerane e konviktit të familjes së tij, Institut auf dem Rosenberg, drejtohet si një startup 132-vjeçar, ku aftësitë dhe qëndrimet sipërmarrëse kultivohen te nxënësit dhe studentët në një mjedis të të mësuarit holistik.

“Kur flasim për të menduarit sipërmarrës, nuk nënkuptojmë domosdoshmërisht fillimin e një biznesi,” thotë drejtori i shkollës elitare që ndodhet mbi qytetin e St. Gallen. “Do të thotë të marrësh përgjegjësi për vendin tënd në jetë, ta promovosh atë, ta zhvillosh, të rrezikosh dhe të krijosh diçka të bukur. Ne duam të rrënjosim te studentët eksitimin e aftësive të tyre.”,

Është e habitshme që shumica e nxënësve dhe studentëve të Rosenberg kanë ardhur nga familje biznesi dhe jo nga aristokracia klasike. Shkolla u themelua në një vend të privilegjuar në 1889 – atëherë u quajt Voralpines Knaben-Institut Dr. Schmidt. Familja Gademann mori shkollën në vitin 1930 – Bernhard Gademann dhe gruaja e tij Anita janë brezi i katërt që drejton këtë institucion arsimor.

Duke pasur si udhërrëfyes historinë dhe traditën e gjatë, shkolla ofron një qasje të personalizuar ndaj edukimit dhe mësimdhënies në ambiente moderne. Synimi është t’u ofrojë 230 nxënësve dhe studentëve të saj, të moshës nga 6 deri në 18 vjeç, “një edukim në shkollën e së ardhmes”.

Vendi prej 62 hektarësh me pamje nga liqeni i Konstancës përfshin një kampus të përbërë nga 13 vila Art Nouveau të restauruara me kujdes që përfshijnë pika referimi arkitekturore si palestrën më të vjetër private të Zvicrës dhe pijetoren e stilit të vjetër anglez të shkollës që të kujton një roman të Harry Potter. Në këto ndërtesa, nxënësit dhe studentët kalojnë pjesën më të madhe të kohës.

Ky “ambjent me pesë yje”, siç e quajti The Guardian, dominohet nga teknologjia e lartë dhe “një qasje 360 ​​gradë ndaj arsimit”. Shkolla ka një laborator krijues, park të së ardhmes si dhe një kopsht futuristik të klimës. Jashtë, Kopshti Klimatik i ngjan një stacioni hapësinor. Brenda, nxënësit hetojnë p.sh. si do të reagojnë bimët ndaj një rritjeje të temperaturës mesatare të planetit me 3 gradë. Në Future Park, ata kultivojnë kopshte vertikale ose projektojnë turbina me erë.

Për të njohur nxënësit dhe studentët e saj me zhvillimet më të fundit në shkencën kibernetike, kërkimin klimatik dhe fusha të tjera, shkolla është partnere me kompani private dhe universitete publike. Për shembull, në bashkëpunim me kompaninë robotike Boston Dynamics, zyrën e projektimit Saga Space Architects dhe kompaninë bujqësore vertikale Yasai, nxënësit dhe studentët po konsiderojnë se si do të jetë jeta në të ardhmen si në Tokë ashtu edhe larg saj.

Ekipi drejtues i Rosenberg nuk ka asnjë interes për të drejtuar një shkollë me konvikt që thjesht përgatit fëmijët e familjeve të pasura për performancë optimale. “Njohuria, në vetvete, nuk bën një edukim të mirë”, argumenton shkolla. Kjo është arsyeja pse ata investojnë në qasjen e personalizuar dhe fokusohen në pyetjen e mëposhtme: Çfarë lloj edukimi do t’i përgatisë në mënyrë efektive nxënësit dhe studentët për të ardhmen? Ata duan që nxënësit dhe studentët e tyre të mësojnë në mënyrë krijuese dhe të bashkëpunojnë. Qëllimi i tyre është të ofrojnë një edukim sa më aktual. Dhe me numrin e nxënësve dhe studentëve në çdo klasë që nuk i kalon tetë, ata sigurojnë që secilit prej tyre të marrë sasinë optimale të vëmendjes.

Arsimi për 0.0045%

 

Në një nga godinat e shkollës është varur një poster në të cilin është shkruar me shkronja të mëdha numri 0.0045%. Është përqindja e popullsisë së botës që mund të përballojë t’i dërgojë fëmijët e tyre në Rosenberg. Shkollimi kushton 142,000 franga zvicerane, shumë më tepër se ajo e Kolegjit të famshëm Eton në Angli. Posteri u kujton studentëve se me privilegjin e tyre vjen një përgjegjësi e madhe. “Ne duam t’u mësojmë atyre se çfarë do të thotë përgjegjësi. Nxënësitdhe studentët përgatiten për rolet e ardhshme drejtuese në bizneset e tyre familjare ose në fusha të tjera si financa, arti apo filantropia”, thotë drejtori i shkollës.

Nxënësit dhe studentët gjithashtu kanë akses në një sërë përfitimesh të tjera përtej objekteve të mahnitshme shkollore. Për shembull, ata janë me shofer dhe anëtarët e stafit i shoqërojnë në stërvitje sportive, udhëtime për blerje, takime me mjekun. Dreka shërbehet në dhomën e madhe të ngrënies ku hanë me mësuesit e pedagogët e tyre. Gjithsej 140 punonjës kujdesen për mirëqenien e 230 fëmijëve e të rinjve, gjatë gjithë kohës.

Opsionet për sport dhe hobi janë të pafundme – ofrohen mbi 40 klasa të ndryshme, nga muzika te tenisi dhe golfi, dhe në dimër ata shkojnë rregullisht në ski.

Megjithëse drejtori i shkollës ka dhënë disa intervista për revista të zgjedhura si Stern dhe Forbes, pak informacion ka rrjedhur rreth ish-nxënësve dhe ish-studentëve të Rosenberg, ku një prej të cilëve është kimisti meksikan Mario Molina, i cili u nderua me çmimin Nobel në 1995, si dhe emrat e të famshëmve të tjerë që kanë kalar nëpër bankat e saj: milioneri dhe fotografi legjendar gjerman Gunter Sachs, biznesmeni Karl Friedrich von Hohenzollern, stilistja Chiara Ohoven dhe fëmijët e oligarkut rus Mikhail Khodorkovsky. Siç thotë një poster i Rosenberg, kjo është një shkollë që i bën liderët…/tesheshi.com/