Kanadaja do të sigurojë mbështetje të përkohshme financiare për ata që largohen nga Rripi i Gazës ku Izraeli kryen gjenocid.

Sipas mediave kanadeze, ministri i Emigracionit Marc Miller deklaroi se "Mbështetja financiare do t'i ndihmojë banorët e Gazës të plotësojnë nevojat e tyre bazë si ushqimi, veshmbathja dhe strehimi, nëse ata vijnë në Kanada dhe gjejnë punë".

Ai tha se mbështetja në fjalë do të ndihmojë refugjatët e Gazës të integrohen në Kanada dhe të gjejnë punë. "Ne vazhdojmë vendosmërinë për të mbështetur palestinezët gjatë krizës humanitare në Gaza. Jemi të shqetësuar për mirëqenien e të gjithë njerëzve në rajon. Duke mbrojtur sigurinë e të gjithëve, ne do të vazhdojmë t'i ndihmojmë ata që kërkojnë azil të zhvillohen dhe të jetojnë në komunitete në të gjithë vendin", tha Miller.

Banorët e Gazës do të marrin tre muaj sigurim të përkohshëm shëndetësor nën Programin e Përkohshëm Federal të Shëndetit dhe do të kenë qasje në një sërë shërbimesh për t'i ndihmuar ata të përshtaten me jetën në Kanada, duke përfshirë trajnimin gjuhësor, regjistrimin në shkollë dhe mbështetjen e kërkimit të punës.

Në deklaratën e Këshillit Kombëtar të Muslimanëve Kanadezë (NCCM), organizata më e madhe muslimane e të drejtave të njeriut në vend, zhvillimi në fjalë u përshkrua si "hapat e parë pozitivë për të ndihmuar të ardhurit e rinj nga Palestina".

"Ka edhe shumë gjëra që do të bëhen. Ky është vetëm fillimi", thuhet në deklaratë./aa