Kompania ndërkombëtare franceze e çimentos "Lafarge SA" dhe katër nga ish-drejtuesit e saj do të dalin në gjyq për financimin e terrorizmit në Siri, sipas urdhrit të djeshëm të gjykatësve hetues.

Ky vendim ligjor shënon një hap të rëndësishëm pas tetë vitesh procedime të iniciuara nga organizata "Sherpa" dhe Qendra Evropiane për të Drejtat Kushtetuese dhe të Drejtave të Njeriut (ECCHR).

Akuzat burojnë nga pretendimet se "Lafarge" financoi grupe të ndryshme të armatosura, përfshirë grupin terrorist DEASH, për të mbajtur funksionale fabrikën e çimentos në Siri, teksa vazhdonte lufta civile.

"'Lafarge' është kompania e parë globale që akuzohet për bashkëpunim në krime kundër njerëzimit", thanë "Sherpa" dhe ECCHR, duke theksuar implikimet serioze të rastit. Ata vunë në dukje se "aktet e bashkëpunimit nuk mund të mbeten të pandëshkuara" dhe duhet të adresohen për të mbështetur drejtësinë.

"Lafarge" dhe katër ish-drejtuesit, përfshirë dy që mbikëqyrnin sigurinë në objektin sirian dhe biznesmenin sirian Firas Tlass, përballen me akuzat për financim të një sipërmarrjeje terroriste dhe shkelje të një embargoje evropiane.

Akuzat kundër ish-drejtorit të sigurimit të "Lafarge"-s, megjithatë, janë hedhur poshtë. Procesi gjyqësor nuk do t'u mundësojë punonjësve sirianë të kërkojnë kompensim, pasi statusi i tyre si paditës u konsiderua i papranueshëm.

Teksa procesi trajton financimin e terrorizmit, hetimi për bashkëpunimin e dyshuar të "Lafarge"-s në krime kundër njerëzimit vazhdon. Gjykata e Lartë franceze më parë e pranoi seriozitetin e akuzave, duke theksuar se "aktet e bashkëpunimit mundësojnë krime kundër njerëzimit".

"Sherpa" dhe ECCHR mbeten të përkushtuara për të mbështetur paditësit në ndjekjen e drejtësisë dhe dëmshpërblimit, duke nënvizuar luftën për llogaridhënie./aa