Liam Payne, një nga ish-anëtarët e grupit të shpërbërë britanik "One Direction", humbi jetën pasi ra nga ballkoni i një hoteli në Buenos Aires të Argjentinës.

Sipas mediave britanike, 31-vjeçari Payne shkoi në Argjentinë për të ndjekur koncertin e Niall Horan, një tjetër ish-anëtar i grupit të shpërbërë.

Policia e kryeqytetit argjentinas, Buenos Aires, raportoi se ekipet shkuan në hotelin e quajtur "Casa Sur Palermo" për të ndërhyrë tek një klient agresiv, i cili mendohej se ishte nën ndikimin e alkoolit ose drogës. Kur mbërritën atje, dëgjuan një zhurmë në kopsht dhe u konstatua se një burrë ishte shtrirë në tokë me plagë të rënda.

Alberto Crescenti, i cili dha deklaratë në emër të shërbimeve të ambulancës në Buenos Aires, tha se ndihma e parë iu dha Payne, i cili ra nga një ballkon rreth 40 metra i lartë, ku shanset e tij për të mbijetuar ishin shumë të vogla.

Duke thënë se denoncimi i parë është bërë në orën 17:04 sipas orës lokale dhe ambulanca ka mbërritur në vendngjarje në orën 17:11, Crescenti tha se Payne ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Pas lajmit për ndarjen nga jeta të këngëtarit britanik, shumë emra të njohur dhe përdorues të rrjeteve sociale kanë shpërndarë postime ku shprehin mërzinë e tyre.

 

- Albumet më të shitura në të gjitha kohërat

Payne mori pjesë në konkursin e këngës "The X Factor" në vitet 2008 dhe 2010. Harry Styles, i cili mori pjesë në konkurs në vitin 2010, u bashkua me Zayn Malik, Louis Tomlinson dhe Niall Horan dhe formuan grupin "One Direction".

"One Direction", i cili mban titullin e grupit më të shitur të të gjitha kohërave me mbi 70 milionë shitje albumesh, hyri në procesin e shpërbërjes pas largimit të Malik dhe anëtarët e grupit filluan të ndiqnin veprat solo që nga viti 2017.

Payne, i cili fitoi mbi 200 çmime me grupin, ka punuar me emra të tillë si Ed Sheeran, Rita Ora, French Montana dhe J Balvin në këngët dhe albumet që ai publikoi pas kësaj date./aa