“Zbulimi herët i kancerit të gjirit shpëton jetë; ja vlen të jetosh.”

Me këtë mesazh, shefi i repartit të kujdesit parësor në Sarandë, Robert Mavro, kërkon të ndërgjegjësojë gratë dhe vajzat që të bëjnë mamografi. Në kuadër të ‘Tetorit Rozë’, fushata ka nisur në fillim të këtij muaji.

“Këtë muaj kemi sensibilizuar të gjitha institucionet ku ka femra, por edhe meshkuj, sepse nuk është një sëmundje vetëm e femrave. 95% janë femra, por ka edhe meshkuj. Për diagnostikimin e kancerit të gjirit në kohë, sekreti është zbulimi i hershëm, pasi vonesat gjithmonë çojnë në fatalitete,” – tha Mavro.

Interes më të lartë për kontrollin e gjirit tregojnë moshat mbi 45 vjeç.

“Janë sensibilizuar të gjithë komuniteti i grave. Kemi filluar që tani të marrim emrat dhe numrat nga gratë mbi 45 vjeç për interesimin e bërjes së mamografisë,” – u shpreh ai.

Sipas doktorit specialist, pandemia ndikoi disi në uljen e interesit, për shkak edhe të frikës dhe panikut që përhapi tek qytetarët.

“Kemi mbi 4 vjet që mamografia instalohet në spitalin ‘Petro Nako’ të Sarandës, dhe që në kohën e pandemisë, kur numri ishte relativisht i ulët, deri në 80 për dy javë, dhe deri në vitin 2023, kur kemi arritur deri në 150, pra dyfishi i saj,” – tha shefi i Repartit të Kujdesit Parësor.

Tetori Rozë i dedikohet ndërgjegjësimit të grave dhe vajzave për të parandaluar apo luftuar kancerin e gjirit./EuroNews