Bashkëkryetari i komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj u shpreh në një dalje për mediet se ajo që ndodhi sot në komision nuk është gjë tjetër veçse teatri i radhës të atyre që nuk e duan reformën zgjedhore.

Fillimisht, ai u kërkoi ndjesë gazetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile që ishin të pranishme për të marrë pjesë në mbledhjen e komisionit.

“Janë skena që ne kemi dashur t’i shmangim, kemi qenë me qëndrimin që Parlamenti dhe Komisioni të mos shndërrohen në salla ku maten muskujt”, tha ai.

“Parlamenti duhet të jetë vendi ku flitet dhe ngrihen interesat e qytetarëve. Pala e mazhorancës e ka pritur të shndërrohet në atë mënyrë, atë teatër të shëmtuar parlamenti, me qëllimin e qartë dhe të saktë, mos e bëjë reformën zgjedhore, siç u shpreh dhe bashkëkryetari, që është komod me këtë kod zgjedhor. Me sa duket do t’i bëjë zgjedhjet kështu”, u shpreh Alibeaj.

Sipas tij, testi i sinqeritetit për Reformën Zgjedhore është kush ka propozuar dhe çfarë ka propozuar.

“Ne kemi prezantuar që para një viti e gjysmë që kemi paraqitur draft amendamente. Është fakt. Jeni apo jo për lista të hapura, për Shqipëria një zonë, vota e emigrantëve? Kjo është pyetja!”, u shpreh Alibeaj.

“Përballjen e kemi me shqiptarët dhe duhet të shkojmë atje dhe të na tregojnë nëse na duan apo jo. Por kjo bëhet vetëm me listat e hapura. Kush nuk pranon këtë lloj sistemi dhe që bën ato shfaqje të shëmtuara, një teatër të përbashkët. Pasi bëjnë teatrin, puthen dhe përqafohen”, tha Alibeaj.

Alibeaj sqaroi dhe të drejtën e vetos. Sipas tij, kjo e drejtë është pushteti që mazhoranca të mos marrë ndonjë iniciativë ta bëjë në mënyrë të njëanshme Reformën Zgjedhore.

“Zero shans ka me ne që kjo mazhorancë të marrë mandate me sistemin që ata kërkojnë. Kanë marrë me primin 7 mandate të pamerituara. Me sistemin tonë ua heqim dhe atë primin e fshehtë. S’ka për të ndodhur me mua bashkëkryetar. Nuk i futem asnjë lloj analize, e kam detyrim këtë karrige, jo personale”, tha Alibeaj./ata