Në Vilnius, Lituani u zhvillua Sesioni i 43-të i Asamblesë Balltike dhe Këshilli i 30-të Balltik.

Vendet balltike mbajnë statusin e vëzhguesit në Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (AP SEECP) dhe në kuadër të Presidencës së Kuvendit të Shqipërisë të AP SEECP për vitin 2024 – 2025, Kuvendi u përfaqësua nga Bledar Çuçi, zëvendëskryetar i Kuvendit të Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij, Çuçi theksoi se, bashkëpunimi për sigurinë është një ndër prioritetet e Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, si një faktor i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës.

Gjithashtu, ai u shpreh se “do të vazhdojmë të ndërmarrim hapa që synojnë të përmirësojnë kontributin e rajonit tonë për paqen dhe sigurinë globale”.

“Shqipëria rikonfirmon vullnetin e fortë për të rritur më tej bashkëpunimin rajonal për forcimin e shtetit të së drejtës, zbatimin e politikave që nxisin tolerancën dhe bashkëjetesën fetare, si kontribuese të drejtpërdrejta në demokratizimin, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë dhe parandalimin e akteve të dhunshme ekstremiste”, theksoi Çuçi.

Sipas tij, kontributi për të ardhmen dixhitale të rajonit është pjesë e përpjekjeve për fuqizimin e ekonomisë së tregut, garantimin e rritjes ekonomike dhe kontributit të rajonit tonë për një Evropë më të fortë.

“Shqipëria gjatë viteve të fundit ka pasur një qasje shumë pozitive dhe aktive drejt teknologjive të informacionit e komunikimit dhe përdorimit të tyre në shërbimet publike”, vuri në dukje ai.

Çuçi në fund të fjalimit theksoi se Shqipëria i ka përballuar dhe do t’i përballojë me sukses dhe nuk do të tërhiqet nga qëndrimet e saj të qarta në luftën kundër terrorizmit, për mbrojtjen e sigurisë, paqes, demokracisë dhe lirisë së popujve.

“Zhvillimin e teknologjive të informacionit dhe inteligjencës artificiale në Shqiperi dhe në Euriopën Juglindore do ta përdorim si një të mirë për vendet tona, në shërbim të zhvillimit dhe mirëqenies së popujve tanë”, përfundoi ai./ata