Kroacia planifikon të rrisë pagën minimale me 130 euro, duke e çuar në 970 euro që nga 1 janari i 2025, tha kryeministri Andrej Plenkoviç. Shuma e pagës minimale neto do të rritet me rreth 80 euro, nga 670 e sivjetshme në 750 euro, ose me 15 për qind, ka vendosur qeveria kroate.

Plenkoviç tha në parlament se paga mesatare neto duhet të arrijë në 1,600 euro deri në fund të këtij mandati. Ai e filloi mandatin e tij të tretë 4-vjeçar si kryeministër i Kroacisë në maj dhe ka qenë në krye të qeverisë që nga tetori i vitit 2016.

Paga mesatare mujore neto e Kroacisë arriti në 1,315 euro në korrik, 12.7% më shumë se vitin e kaluar në terma realë, sipas të dhënave të fundit nga zyra e statistikave të vendit.

Në vend ka rreth 100,000 njerëz që kanë pagë minimale dhe vendimi i qeverisë synon të përmirësojë të ardhurat e tyre, shtoi Plenkoviç.

Kryeministri njoftoi gjithashtu planet për të ndryshuar formulën e indeksimit të pensioneve në një raport 85:15, duke reflektuar një indeks më të favorshëm midis atij të çmimeve të konsumit dhe treguesit nominal të pagës mesatare mujore bruto.

Qeveria planifikoi gjithashtu masa shtesë për familjet me fëmijë. Vitet e shërbimit të nënave do të rriten me 6 deri në 12 muaj për çdo fëmijë të lindur ose të birësuar, si dhe do të vendoset një bonus vjetor, tha Plenkoviç.

Nga 1 janari, bonuset për fëmijët e porsalindur do të rriten me 100%, nga 309 euro në 618, deklaroi ai./Scan