Në Fletoren Zyrtare është botuar vendimi që përcakton procedurat që duhet të ndjekin subjektet për të përfituar mbështetje financiare nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit lidhur me projektet e tyre në turizëm. Për të përfituar financim, projektet dhe veprimtaritë në fushën e turizmit, duhet të jenë në përputhje me parimet e zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm në vend dhe politikat e ministrisë për zhvillimin e industrisë së turizmit.

Është e domosdoshme që projektet të promovojnë këtë industri për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e cilësisë së jetës, si dhe të promovojnë produktet dhe destinacionet turistike, traditat dhe vlerat e trashëgimisë kulturore, historike dhe natyrore të vendit. Shqipëria duhet promovuar në    arenën ndërkombëtare si një destinacion turistik holistik dhe i konsoliduar, me turizëm të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor.

Një kolegjium në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit do të vlerësojë nëse kriteret e mësipërme janë plotësuar nga entitetet kombëtare dhe ndërkombëtare që kanë ekskluzivitetin për realizimin e projekteve dhe veprimtarive në fushën e turizmit, si dhe subjektet që ofrojnë produkte dhe shërbime në funksion të këtyre projekteve.

Pas shqyrtimit të propozimeve, kolegjumi zgjedh opsionin më të favorshëm dhe e dërgon për miratim te ministri përgjegjës, me qëllim lidhjen e kontratës brenda 3 ditëve. Subjektet që dërgojnë projekte për financim pranë kësaj ministrie, duhet të jenë të regjistruar, të kenë status aktiv, të mos kenë detyrime përmbarimore dhe të tjera./Scan