Dita Botërore e Osteoporozës (DBO), shënohet çdo vit më 20 tetor, si një fushatë që i kushtohet rritjes së ndërgjegjësimit global për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e saj dhe sëmundjeve muskulo-skeletore të lidhura me to.

Kjo ditë synon të vendosë shëndetin e kockave dhe parandalimin e frakturave në axhendën globale, të arrijë tek profesionistët e kujdesit shëndetësor, mediet, politikëbërësit, pacientët dhe publiku në përgjithësi.

Insituti i Shëndetit Publik këshillon qytetarët që të ushtrojnë kockat për shëndetin e tyre.

“Kockat, si muskujt, bëhen më të fortë kur i përdorni. Aktiviteti fizik ndihmon në ndërtimin e kockave tek fëmijët dhe adoleshentët ndërsa rriten, dhe po ashtu, në ruajtjen e strukturës së kockave tek të rriturit”, theksoi ISHP.

Në çdo moshë, lloji më i mirë i ushtrimeve për shëndetin e kockave janë ato që ndihmojnë në forcimin e muskujve.

“Ngjitni shkallë, ecni, vraponi, kërceni dhe kështu hidhni hapa konkretë drejt kockave tuaja më të forta. Në përgjithësi, shumica e njerëzve duhet të synojnë të kryejnë aktivitet fizik për 30 – 40 minuta, 3 – 4 herë në javë, me ushtrime të mbajtjes së peshës dhe rezistencës”, u shpreh ISHP.

Njerëzit me osteoporozë përfitojnë nga një plan të dedikuar aktiviteti fizik, i cili gjithashtu, përfshin ushtrime për të përmirësuar ekuilibrin dhe qëndrimin.

Ushtrimet duhet t’i përshtaten situatës dhe aftësive tuaja. Plani i dedikuar i aktivitetit fizik luan një rol vendimtar në rehabilitimin pas frakturave, duke ndihmuar në reduktimin e dhimbjes, përmirësimin e funksionit fizik dhe të cilësisë së jetës. Fizioterapistët mund të japin këshilla dhe të zhvillojnë regjime ushtrimesh të përshtatura sipas frakturës.

Osteoporoza është e zakonshme dhe frakturat prej saj janë në rritje. Në mbarë botën, një në tre gra dhe një në pesë burra të moshës 50 vjeç e lart do të kenë një frakturë të brishtë për shkak të osteoporozës gjatë jetës së tyre të mbetur.

Në mbarë botën, osteoporoza shkakton më shumë se 8.9 milionë fraktura në vit, duke rezultuar në një frakturë të osteoporozës çdo 3 sekonda.

Bazuar në përkufizimin e OBSH-së për osteoporozën, vlerësohet se rreth 500 milionë burra dhe gra në mbarë botën mund të preken. Osteoporoza vendos një barrë të rëndë për individët dhe familjet e tyre.

Tek gratë, osteoporoza llogaritet për më shumë ditë në spital sesa kanceri i gjirit, ataku në zemër, diabeti dhe shumë sëmundje të tjera. Tek meshkujt, rreziku gjatë gjithë jetës për frakturë si rrjedhojë e osteoporozës është më i madh se ai i kancerit të prostatës.

Frakturat vertebrale (kurrizore) mund të çojnë në dhimbje shpine, humbje të gjatësisë, deformim, palëvizshmëri, rritje të numrit të ditëve në shtrat dhe ulje të funksionit pulmonar./ata