Supersfida e javës së nëntë në Kategorinë Superiore, mes “Elbasanit” dhe “Partizanit”, përfundoi në barazim 1-1.

Ky rezultat i shkon më shumë përshtat “Partizanit” që mbetet në krye të renditjes me 16 pikë, ndërsa “Elbasani” mban vendin e katërt me 14 pikë.

Sa i përket ndeshjes, të kuqtë kaluan të parët në avantazh me anë të Agim Zekës në minutën e 22-të. Megjithatë vendasit reaguan shpejt dhe barazuan shifrat me Ze Gomes në minutën e 36-të.

Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, i cili nuk ndryshoi as në fraksionin e dytë. Fundi i takimit ishte tepër i tensionuar dhe me protesta të shumta të vendasve.

Gjyqtari fillimisht anuloi një gol të Lleshit në minutën e 90-të, për faull gjatë aksionit. Në minutën e 93-të, tek Elbasani pretenduan për penallti, pas një kontakti të Gjonit me Bytyçin. Kjo krijoi tension dhe protesta, me vendasit që nuk ishin dakord me vendimin e arbitrit.

Bylis – Skënderbeu 0-1

Në sfidën tjetër të ditës së sotme “Skënderbeu” u rikthye te fitorja në kampionat.

Korçarët triumfuan minimalisht ndaj “Bylis”-it në transfertë, në ndeshjen e vlefshme për javën e nëntë në Superiore.

Pas dy humbjeve radhazi, skuadra e drejtuar nga Ivan Gvozdenovic, rikthehet të marrë pikët e plota në një ndeshje kampionati.

Juglindorët iu falën një goli të shënuar nga Ermir Rashica nga jashtë zone, në minutën e 81-të.

Me këtë fitore, “Skënderbeu” mban vendin e tetë me 10 pikë, po aq sa Tirana e vendit të shtatë. “Bylis” renditet në vendin e fundit me vetëm 5 pikë të grumbulluara.

Egnatia – Teuta 0-0

Dje “Egnatia” dhe “Teuta”, nuk shkuan më shumë se barazimi pa gola, në sfidën mes tyre, të vlefshme për javën e nëntë.

Ndeshja në Rrogozhinë kishte gjithçka brenda, përveç fituesit. Vendasit kishin mundësinë  e artë për të kaluar në avantazh, por gjuajtja e Vuthajt nga penalltia shkoi mbi traun e portës.

Gjithçka u bë më e vështirë për “Egnatian” në fundin e pjesës së parë, kur Dylisse, u ndëshkua me karton të kuq.

Me një lojtar më shumë në pjesën e dytë, durrsakët u shfaqën më kërkues, por nuk shënuan dot.

Me këtë barazim, “Egnatia” mban vendin e dytë me 15 pikë, ndërsa “Teuta” mban vendin e gjashtë me 14 pikë të grumbulluara.

Tirana-Dinamo 0-0

Derbi i kryeqytetit mes “Tiranës” dhe “Dinamos”, nuk prodhoi fitues, duke u mbyllur në barazim pa gola.

Në ndeshjen e zhvilluar në Vlorë, dy ekipet kërkuan triumfin nga fillimi, por në fund u detyruan të ndajnë nga një pikë.

Pjesa e parë u mbyll me rrjetat të paprekura, ndërsa në të dytën “Tirana” kaloi në avantazh me Soler, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Të njëjtin fat kishte edhe “Dinamo” në minutën e 73-të, që pa të anulohej për të njëjtën arsye goli i Lorenco Vilës.

Në minutat e mbetura, skuadra e Shkëmbit ishte më kërkuese, duke goditur edhe traversën, por goli mungoi.

Me këtë barazim, “Tirana” mban vendin e shtatë me 10 pikë, ndërsa “Dinamo” renditet në vendin e tretë me 15 pikë.

Laçi – Vllaznia 3-1

“Laçi” mori fitoren e parë sezonale në kampionat. Kurbinasit mposhtën “Vllazninë” me rezultatin 3-1 me përmbysje, në sfidën e vlefshme për javën e nëntë në Superiore.

Debutim me fitore për trajnerin e bardhezinjve, Francesco Moriero, i cili merr triumfin e parë. “Vllaznia” kaloi e para në avantazh në minutën e 18-të, falë një autogoli të Dajsinanit.

“Laçi” reagoi dhe barazoi me Papën në minutën e 45-të. Pjesa e dytë nisi e vrullshme për kurbinasit, që shënuan dy gola të shpejtë me Mjakin në minutën e 53-të dhe Melo në minutën e 56-të.

Me këtë sukses, “Laçi” i largohet vendit të fundit dhe renditet i nënti me 6 pikë, ndërsa “Vllaznia” zbret në vendin e pestë me 14 pikë./ata