Të paktën 11 persona u vranë sot pasi sulmet ajrore izraelite shënjestruan disa zona në Libanin jugor, sipas Agjencisë Kombëtare Libaneze të Lajmeve.

Katër persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në një sulm ajror izraelit që synoi lagjen Kassar Zaatar të qytetit Nabatieh.

Dy të tjerë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në një tjetër sulm ajror ndaj një shtëpie në qytetin Burj Rahhal në rrethin Tire.

Avionët luftarakë izraelitë goditën gjithashtu një shtëpi në qytetin Srifa në Tyre, duke vrarë tre persona, ndërsa dy të tjerë humbën jetën në një tjetër sulm në Kfar Dunin në Libanin jugor, tha agjencia shtetërore e lajmeve.

Në një incident tjetër, trupat izraelite shpërthyen eksploziv në lagjen Al-Tarash të Mays al-Jabalit.

Zona e bllokuar me kurthe u rrafshua dhe varreza në Blida në rrethin e afërt Bint Jbeil u shkatërrua me buldozer, tha i njëjti burim.

Forcat izraelite gjithashtu u përpoqën të avanconin në qytetin kufitar Al-Dhahira, rrethi Tire.

Ky inkursion, i cili u shoqërua me bombardime të rënda artilerie në periferi të qytetit dhe në zonën e afërt Al-Bustan, çoi në përleshje të ashpra me forcat e rezistencës lokale.

Paralelisht, ushtria izraelite pretendoi se ka sulmuar me avionë luftarakë “selinë e inteligjencës” të Hezbollahut dhe një nga “punishtet nëntokësore të armëve” të tij në Bejrut.

Ndërkohë, ushtria izraelite tha se tri raketa u lëshuan nga Hezbollahu nga Libani drejt qytetit verior Haifa.

Në një deklaratë, ushtria tha se njëra prej predhave u kap, ndërsa dy të tjerat ranë në zona të hapura.

Sipas gazetës izraelite “Israel Hayom”, copëzat e një rakete interceptuese ranë mbi një ndërtesë në Haifa, duke shkaktuar dëme, por nuk raportohet për të lënduar.

Izraeli ka ndërmarrë një fushatë të madhe ajrore në Liban që nga fundi i muajit të kaluar kundër atyre që pretendon se janë objektiva të Hezbollahut, duke vrarë mbi 1.500 njerëz dhe duke zhvendosur më shumë se 1,34 milion të tjerë. Lufta ndërkufitare midis dy palëve po vazhdon që nga lufta e Gazës tetorin e kaluar./aa