Rreth 1.390 kolonë të paligjshëm izraelitë hynë me forcë në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar sot për të festuar festën hebraike Sukkot.

Drejtoria e Vakëfeve Islame të Kudsit tha se kolonët hynë në vendin e shenjtë përmes portës Mughrabi në murin perëndimor të xhamisë nën mbrojtjen e policisë izraelite.

Sipas dëshmitarëve, ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë Itamar Ben Gvir iu bashkua kolonëve të paligjshëm në kryerjen e ritualeve talmudike në vend, mes kufizimeve për hyrjen e adhuruesve myslimanë në kompleks.

Zyra e Ben-Gvirit, megjithatë, tha se ministri ekstremist nuk hyri në Aksa, por mirëpriti kolonët izraelitë në hyrje të kompleksit.

Që nga viti 2003, Izraeli ka lejuar kolonët e paligjshëm në kompleksin e Al-Aksasë pothuajse çdo ditë, me përjashtim të të premteve dhe të shtunave.

Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për myslimanët. Hebrenjtë e quajnë këtë zonë “Mali i Tempullit”, duke pretenduar se ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa, gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Ai aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980, hap ky që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar./aa