Ushtarët izraelitë arrestuan të paktën 18 palestinezë, përfshirë 2 fëmijë, gjatë bastisjeve në rajone të ndryshme të Bregut Perëndimor të pushtuar.

Në një deklaratë të përbashkët nga Shoqata e të Burgosurve Palestinezë dhe Delegacioni për të Burgosurit dhe të Liruarit, të lidhur me Organizatën për Çlirimin e Palestinës, thuhet se ushtarët izraelitë kanë vazhduar bastisjet ndaj shtëpive të palestinezëve në Bregun Perëndimor.

Gjatë bastisjeve në qytete dhe qyteza të ndryshme të Bregut Perëndimor, u arrestuan 18 palestinezë, përfshirë 2 fëmijë dhe ish të burgosur. Gjithashtu në deklaratë thuhet se ushtarët izraelitë kanë goditur dhe kërcënuar anëtarët e familjeve të palestinezëve që arrestuan.

Bashkë me palestinezët e arrestuar së fundmi, numri i palestinezëve të arrestuar në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor nën pushtim që nga 7 tetori 2023, u rrit në 11.300. Që nga 7 tetori, kur Izraeli filloi sulmet në Rripin e Gazës ka patur rritje të arrestimeve, bastisjeve dhe sulmeve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor.

Ministria palestineze e Shëndetësisë ka deklaruar se që nga 7 tetori 2023 e deri më tani janë vrarë 759 palestinezë, përfshirë 165 fëmijë në sulmet e ushtrisë izraelite dhe izraelitëve që kanë uzurpuar tokat palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor./aa