Izraelitët të cilët uzurpojnë tokat palestineze bastisën xhaminë Al-Aksa në formë grupesh dhe nën mbrojtjen e policisë izraelite.

Hebrenjtë fanatikë vazhduan bastisjet ndaj xhamisë Al-Aksa që ndodhet në Kudsin Lindor nën pushtim me arsyetimin e "Festës Sukkot".

Qindra hebrenj fanatikë që hynë në Al-Aksa për të dytën ditë radhazi, shëtitën nëpër oborrin e xhamisë, brohoritën me slogane dhe kënduan marshe. Disa hebrenj fanatikë kryen rite fetare Talmudike duke u përulur në tokë, ndërkohë që u kufizua hyrja në xhami për muslimanët.

Administrata e Vakëfeve Islame të Kudsit tha se rreth 1.135 hebrenj fanatikë morën pjesë në bastisjen ndaj xhamisë Al-Aksa.

Rreth 1.780 hebrenj fanatikë uzurpues të tokave palestineze, edhe dje në mëngjes dhe orët e drekës kryen bastisje ndaj xhamisë Al-Aksa.

 

- Bastisjet ndaj Xhamisë Al-Aksa

Sipas marrëveshjes së paqes të nënshkruar më 26 tetor 1994 mes Izraelit dhe Jordanisë, xhamia Al-Aksa është nën kujdesin e Administratës së Vakëfeve Islame të Kudsit e cila është e lidhur me Ministrinë e Vakëfeve, Çështjeve Islame dhe Vendeve të Shenjta të Jordanisë.

Hebrenjtë që nga viti 2003 e deri më sot, hyjnë në vendet e shenjta nën shoqërimin e policisë në kuadër të vendimit të njëanshëm të Izraelit. Administrata e Vakëfeve Islame të Kudsit i cilëson këto hyrje si bastisje dhe thekson se po shkelet sovraniteti i muslimanëve.

Me pretendimin se "janë gjetur mbetjet e Tempullit të Solomonit", iIzraelitët po kryejnë gërmime nën Kompleksin Mesxhid al-Aksa, i cili përfshin Xhaminë e Kiblës dhe Xhaminë e Kupolës së Shkëmbit, si dhe një muze, medrese dhe një oborr të madh.

Qeveria izraelite mbron idenë se po ruhet "status quo"-ja historike ku në xhaminë Al-Aksa "mund të kryejnë adhurime vetëm muslimanët ndërsa anëtarët e feve të tjera mund të kryejnë vetëm vizita".

Por, kolonët fanatikë hebrenj janë kapur shpesh në kamera duke u lutur dhe duke kryer rituale fetare gjatë bastisjeve që ata kryejnë në Al-Aksa nën mbrojtjen e policisë izraelite./aa