Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Rusia ka zhvilluar bashkëpunimin e saj me Korenë e Veriut në çdo fushë në kuadër të të drejtave të sovranitetit.

Në një prononcim për gazetarët lidhur me bashkëpunimin ushtarak midis Moskës dhe Phenianit, Peskov rikujtoi se Koreja e Veriut është fqinji më i afërt dhe partner i Rusisë, ndërsa shtoi se dy vendet kanë zhvilluar marrëdhëniet në çdo fushë dhe se kjo është e drejtë e tyre sovrane.

"Kjo nuk duhet të shqetësojë askënd sepse ky bashkëpunim nuk është kundër vendeve të treta. Ne do ta zhvillojmë edhe më tej këtë bashkëpunim", tha Peskov.

Ai tha se pretendimet se ushtria e Koresë së Veriut ndodhet në Rusi janë kontradiktore. "Ne shohim shumë informacione kontradiktore. Koreja e Jugut thotë një gjë, pastaj Pentagoni njofton se ata nuk i konfirmojnë deklaratat e tilla. Ndoshta kështu duhet t'i qasemi kësaj", tha Peskov.

Në pyetjen nëse ushtria e Koresë së Veriut është apo jo në Rusi dhe nëse ka marrë pjesë apo jo në "operacionin special ushtarak" në Ukrainë, Peskov u përgjigj: "Kjo është një pyetje lidhur me zhvillimin e operacionit special ushtarak. Duhet të kontaktoni Ministrinë e Mbrojtjes"./aa