Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) vazhdon të jetë në pararojë të zhvillimit të energjisë së rinovueshme në Shqipëri.

“Solar Energy of Albania Sh.a., një kompani bijë e KESH Sh.a., dhe Joint Venture Gamma–Sungrow FPV, një shoqërizim i kompanive spanjolle Gamma Solution dhe kineze Sungrow FPV, nënshkruan kontratën për projektimin, ndërtimin dhe operimin e impiantit fotovoltaik lundrues në liqenin e HEC-it të Vaut të Dejës”, njofton KESH.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) bën me dije se kapaciteti i këtij impianti do të jetë 12.97 MWp, ndërsa prodhimi i parashikuar në vitin e parë arrin në 18,808 MWh/vit, me një prodhim mesatar prej 17,822 MWh/vit gjatë gjithë jetës së tij. Kontrata përfshin projektin e detajuar, furnizimin, instalimin, testimin, si dhe periudhën e operimit dhe mirëmbajtjes për dy vjet.

Ky projekt është një bashkëfinancim mes KESH në rolin e sponsorit, BERZH – Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe do të mbështetet nga WBIF – Fondi i Bashkuar Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Edhe pse impiantet fotovoltaikë lundrues konsiderohen ende një teknologji e re, sistemi i ankorimit të impiantit do të sigurojë operim normal edhe me luhatje deri në 15 metra të nivelit të ujit dhe rezistencë ndaj erës maksimale për 50 vitet e ardhshme./ata