Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka dënuar “pa mëdyshje” vrasjen masive të civilëve në Gazën veriore në mes të sulmeve shkatërruese izraelite në enklavën palestineze.

Zv/zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, tha se shefi i OKB-së “dënon pa mëdyshje humbjen e vazhdueshme dhe të përhapur të jetëve në Gaza, duke përfshirë sulmet ajrore izraelite në Beit Lahia, të cilat vranë dhjetëra palestinezë mes tyre, shumë gra dhe fëmijë”.

Duke bërë thirrje për mbrojtje dhe respekt për civilët, Haq tha se shefi i OKB-së “mbetet thellësisht i alarmuar nga përkeqësimi i shpejtë i situatës për civilët në Gazën veriore, duke përfshirë zhvendosjen masive dhe mungesën e gjërave thelbësore për mbijetesë”.

“Sekretari i përgjithshëm bën thirrje për qasje të menjëhershme dhe të papenguar për ekipet humanitare dhe të shpëtimit për të shpëtuar jetë”, tha Haq, duke theksuar se sulmet e fundit izraelite mbi spitalet në Gazën veriore “po përkeqësojnë një krizë tashmë të tmerrshme humanitare dhe po vendosin jetët e dhjetëra mijëra njerëzve në rrezik të madh”.

Ai theksoi prioritetin e “kujdesit dhe furnizimeve thelbësore mjekësore”. Ai gjithashtu përsëriti thirrjen nga Guterres për një armëpushim të menjëhershëm dhe lirimin e pengjeve në Gaza.

Të shtunën e kaluar, një sulm ajror izraelit shënjestroi Spitalin Kamal Adwan në veri të Gazës, duke vrarë të paktën 87 persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë, përfshirë fëmijë. Sipas dëshmitarëve, sulmi izraelit shkatërroi edhe një bllok të tërë banimi në Beit Lahia në veri të Gazës.

Mes një rrethimi në zonën e Gazës veriore, ushtria izraelite vazhdon me ofensivën masive, tashmë në ditën e saj të 17-të. Ky sulm është episodi i fundit në sulmet brutale të Izraelit në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit të kaluar, që kanë vrarë të paktën 42.600 palestineze, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe kanë plagosur mbi 99.800 të tjerë.

Lufta izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e pothuajse të gjithë popullsisë së Gazës mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Për veprimet në Rripin e Gazës, Izraeli përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë./aa