“Është e nevojshme të ndahen katër trilionë dollarë në vit për një zhvillim të qëndrueshëm”, tha presidenti i Bankës Botërore, Ajay Banga, në Konferencën e Hamburgut për Qëndrueshmërinë.

Sipas tij, qeveritë, filantropët dhe bankat zhvillimore shumëpalëshe mund të ndajnë afërsisht 300 miliardë dollarë, që do të thotë se është e nevojshme të kalohet “hendeku i madh” në financim me ndihmën e sektorit privat.

Ai paralajmëroi se 1.2 miliardë të rinj në jugun global ose tregjet në zhvillim do të hyjnë në tregun e punës në 15 vitet e ardhshme, ndërsa ato vende mund të krijojnë vetëm pak më shumë se 400 milionë vende pune në të njëjtën periudhë.

Banga deklaroi se investitorët në këto vende kanë nevojë për një politikë të qartë rregullatore dhe sigurim ndaj rrezikut politik dhe tregtar.

Ne kemi një instrument që e quajmë MIGA. Banka ka shumë shkurtesa, por ky i referohet sigurimit për një investitor të sektorit privat në një vend në rast se nuk përmbushen detyrimet që u tha se do të merrnin,” shtoi presidenti i Bankës Botërore.

Ai kujtoi se Banka Botërore është zotuar të lidhë 300 milionë njerëz në Afrikë me energji nga burimet e rinovueshme, së bashku me Bankën Afrikane për Zhvillim dhe Fondacionin Rockefeller.

“Për të qenë të qartë, 600 milionë njerëz në Afrikë sot nuk kanë energji elektrike. Dhe unë e konsideroj energjinë elektrike një të drejtë themelore të njeriut,” tha Banga./OraNews