Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, është zotuar se vendi i saj do të vazhdojë të mbështesë Moldavinë edhe pasi moldavët me një rezultat të ngushtë votuan “po” për anëtarësimin e vendit të tyre në Bashkimin Evropian (BE) që do t’i lejojë vendit të bashkohet me bllokun evropian në të ardhmen.

“Po, ishte shumë afër. Por është një lehtësim i madh për të gjithë ne dhe ju përgëzojmë nga thellësia e zemrave tona”, tha Baerbock në një konferencë të përbashkët për media në Berlin me homologët e saj nga Danimarka, Finlanda, Islanda, Norvegjia dhe Suedia.

Zyrtarët vizituan Gjermaninë për të festuar 25-vjetorin e Kompleksit të Ambasadave Nordike në Berlin.

Drejtimin e Moldavisë për në BE, ministrja gjermane e quajti “garanci më të mirë të sigurisë për njerëzit atje se ata në të ardhmen mund të jetojnë në paqe dhe liri”.

“Ne jemi 100 për qind të bashkuar dhe të vendosur për të mbështetur jo vetëm Ukrainën, por edhe Moldavinë”, tha Baerbock, duke iu drejtuar homologëve të saj nordik.

Shefja e diplomacisë gjermane tha se dy vite e gjysmë më parë, presidenti rus Vladimir Putin sulmoi jo vetëm Ukrainën, por edhe Moldavinë, në këtë rast, siç tha ajo, “jo me ushtrinë, por edhe këtu me luftë hibride”.

Më herët gjatë ditës, qeveria gjermane akuzoi Rusinë se po përpiqet të manipulojë dhe të ndikojë në zgjedhjet presidenciale dhe në referendumin e BE-së në ish-Republikën Sovjetike të Moldavisë.

“Ne shohim se Rusia dhe aktorët pro-rusë po përpiqen të de-stabilizojnë Moldavinë në një shkallë të gjerë”, tha zv/zëdhënësja e qeverisë gjermane, Christiane Hoffmann, në një konferencë për media në Berlin.

“Ne e dënojmë këtë manipulim të vazhdueshëm dhe përpjekjet për të ndikuar në zgjedhje demokratike dhe në fund të fundit në vendimmarrjen e popullit moldav”, tha ajo, duke kërkuar një hetim./aa