Departamenti i Shtetit i SHBA-së po heton një njësi ushtarake izraelite në lidhje me shkelje të të drejtave të njeriut të raportuara gjerësisht, si dhe përdhunime dhe tortura kundër të burgosurve palestinezë në një qendër izraelite të paraburgimit.

Duke cituar dy zyrtarë amerikanë dhe dy zyrtarë izraelitë, ‘Axios’ raportoi se disa anëtarë të njësisë ushtarake izraelite, të njohur si ‘Forca 100’, aktualisht po gjykohen me pretendimin se kanë sulmuar seksualisht një të burgosur palestinezë në kampin e paraburgimit Sde Teiman.

Objekti i qendrës së paraburgimit ‘Sde Teiman’, i referuar nga organizatat e të drejtave të njeriut si "Guantanamoja Izraelite", prej kohësh ka qenë nën vëzhgim për abuzime të pretenduara.

Në muajin gusht, transmetuesi izraelit ‘Channel 12’ transmetoi pamje që tregonin ushtarët izraelitë që lëviznin një të burgosur jashtë rrezes së vëzhgimit për të kryer abuzim seksual në burgun ‘Sde Teiman’, që ndodhet në shkretëtirën Negev.

Në të njëjtin muaj, kur u pyet nga Anadolu për incidentin në një konferencë për media, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, tha se duhet të ketë "zero tolerancë" për abuzimin seksual ose përdhunimin e të burgosurve dhe i bëri thirrje Izraelit të hetojë akuzat.

Sot, zv/zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, nuk pranoi të komentojë në detaje raportin e ‘Axios’, duke përmendur proceset konsultative të departamentit.

"Në çdo vend ku ne kemi një marrëdhënie sigurie, sigurisht që kemi procese për të vlerësuar dhe parë gjërat kur disa fakte ngrihen ose sillen fakte në SHBA nga të gjitha këto vende. Por unë ajo që mund të them është se nuk kam asnjë lajm për të ndarë apo për të njoftuar në kontekstin e ndonjë lloj përcaktimi të politikave në lidhje me Izraelin”, tha Patel.

Raportet dolën derisa sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, përgatitet të vizitojë Izraelin, ku Washingtoni kërkon rifillimin e bisedimeve për armëpushimin mbi luftën në Gaza pas vdekjes së liderit të Hamasit, Yahya Sinwar./aa