Në kuadër të “Tetorit Rozë”, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, ishte me një grup grash dhe vajzash në Fier, nga ku ka ndarë edhe historitë frymëzuese të dy zonjave.

“Sot dua të ndaj me ju forcën dhe frymëzimin që mora nga gratë e Fierit, të cilat përmes rrëfimeve të tyre të prekshme na treguan se si e kanë fituar betejën me kancerin e gjirit dhe sot gëzojnë shëndet të plotë. Historia e tyre është një kujtesë e fuqishme: mos e neglizho, bëj kontrolle të rregullta sepse ia vlen të jetosh”, thotë ministrja.

Ndërkohë, një nga zonjat protagoniste në video tregon se si përmes kontrollit periodik te mjeku, e kapi në kohë tumorin në gji dhe sot pas ndërhyrjes gëzon shëndet të plotë.

“Para dy viteve e gjysmë kam bërë një vizitë te doktori, thjesht për kontroll dhe konstatova që kisha një tumor në gji. U tremba pak, pastaj u konsultova me mjekun dhe bëra ndërhyrje. U bëj thirrje të gjitha grave, që mos të neglizhojnë vizitat, të shkojnë te mjeku, mos ta kenë për turp sepse një vizitë sot, vlen shumë në të ardhmen”, thotë ajo.

Një tjetër zonjë tregon se si një kontroll rutinë te mjeku, e ndihmoi që të përcaktonte me kalimin e kohës diagnozën e tumorit në gjoks.

“Në vitin 2016 kisha disa shqetësime nga gjoksi dhe nga shpatulla. Shkova te mjeku i familjes, bëra eko gjiri dhe dola me gjendra dhjamore. Ndërkohë, vazhdoja vizitat çdo vit. Para dy vitesh, kam bërë një ndërhyrje në gjoks, kam hequr gjendrën dhjamore dhe një herë në vit bëj mamografi dhe eko. Nuk duhet t’i shmangni vizitat dhe kontrollet sepse ia vlen të jetojmë për fëmijët tanë, për jetën tonë sepse jemi akoma në moshë të re. Jeta është e bukur”, e mbyll zonja rrëfimin e saj, bashkë me një mesazh për të gjitha gratë dhe vajzat në të gjithë vendin./ata