Sekretari i Përgjitshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, e cilëson si “rrëmbim nga skuadra terroriste” arrestimin e kryetarit të Partisë së Lirisë Ilir Meta, ish-president i vendit, i cili u prangos një ditë më parë në kryeqytet me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Blushi, thotë se Partia e Lirisë është duke mbledhur informacion për emrat e të gjithë terroristëve, siç i cilësoi ai, që nga dje e kanë personale me çdo shqiptar të ndershëm dhe patriot.

Duke iu referuar reagimit të ministrit të Brendshëm për arrestimin e Metës, Blushi shkruan se gjithçka është e qartë se ka qenë e urdhëruar nga lart.

“Askush nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit sipas përgjegjësive që ka pasur në këtë akt terrorist”- shkruan Blushi.

Ilir Meta akuzohet nga SPAK për tre vepra penale, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”./ata