Një ditë pasi u paraqit në SPAK, deputeti i PS, Jurgis Çyrbja ka dorëzuar mandatin e deputetit. Çyrbja ishte në SPAK më datë 8 tetor, ndërkohë burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se dorëzimin e mandatit e ka dorëzuar dje, datë 9 tetor, në Kuvend.

Për Report Tv, Çyrbja mohon që dorëzimi i mandatit të ketë lidhje me thirrjen në SPAK. Në një reagim për gazetaren Esiona Konomi, Çyrbja thotë se nuk ka asnjë shqetësim të natyrës ligjore, por ka nevojë të kujdeset për shëndetin.

“Kam nevojë për kohë. Do të kujdesem për shëndetin tim. Nuk kam asnjë shqetësim të natyrës ligjore. Dorëheqja nuk lidhet me thirrjen në SPAK. Ishte një vendim që e mora në vlerësim të situatës sime personale”, thotë ai për Report Tv.

Çyrbja po mbyllte mandatin e dytë si deputet. Ai u zgjodh për herë të parë si ligjvënës në radhët e PS në vitin 2017. Ndërkohë, në vitin 2021 ishte i treti më i votuari i qarkut Durrës me 6583 vota.

Më datë 8 tetor, Çyrbja u pyet për 5 orë në SPAK për një kallëzim të Partisë Demokratike. Burime jo zyrtare i thanë Shqiptarja.com se ligjvënësi i PS u pyet për një kallëzim të Edi Palokës në zgjedhjet e vitit 2021, ku e akuzon për shpërdorim detyre, në kohën kur drejtonte Hipotekën e Durrësit, pa e marrë ende mandatin e ligjvënësit.

Në atë kohë drejtues politik i qarkut Durrës, Edi Paloka, ka çuar në SPAK Çyrbjan për “shpërdorim detyre”, për firmosjen brenda të njëjtës ditë të dy praktikave për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm, duke realizuar kështu mbivendosje prone.  /Shqiptarja