Pas një hapjeje spektakolare të Javës së Kulturës Amerikane, me koncertin rock në Pazarin e Ri, kjo javë ka vijuar me dy aktivitete interesante. Njëri prej tyre dedikuar fëmijëve, titullohej Space Night dhe u zhvillua në Këndin Amerikan të Tiranës.

Fëmijët zbuluan mrekullitë e hapësirës në Space Night, një aktivitet argëtues dhe edukues për fëmijë dhe adoleshentë. Ata shijuan aktivitete praktike dhe ekspozitën mbi eksplorimin e hapësirës, duke mësuar më shumë rreth universit që na rrethon.

Space Night ishte një event që ka si objektiv ofrimin e një përvojë edukative dhe tërheqëse të përqendruar rreth eksplorimit të hapësirës dhe astronomisë, i përshtatshëm për fëmijët nga mosha 12-18 vjeç.

Njëkohësisht, në një mjedis tjetër në Tiranë, tek Destil Creative Hub, u zhvillua një seminar i mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Akademinë për Gratë Sipërmarrëse (AWE). Stilistja Noor Bchara zhvilloi një seminar me AWE, e ndjekur nga një festë e hapur e pesëvjetorit të programit AWE në Shqipëri.

Stilistja amerikane Noor Bchara u takua me gra sipërmarrëse të suksesshme që po transformojnë bizneset e tyre. Noor Bchara është stiliste e cila e bazon punën e saj tek riciklimi dhe rifutja në ciklin e modës e materialeve të përdorura më parë.

Ajo mori diplomën e saj të Arteve të Bukura në Dizajn Mode nga Instituti i Teknologjisë së Modës në Nju Jork dhe Polimoda në Firence, Itali. Praktikën e parë të punës e bëri në Marc by Marc Jacobs dhe gjithashtu ka dizajnuar për Zac Posen, TAHARI ASL, Ellen Tracy dhe aktualisht për Kate Spade.

Noor Bchara themeloi NOORISM në 2015 që është një markë veshjesh për femra me bazë në Bruklin që prodhon veshje dhe aksesorë duke përdorur xhinse të ripërdorura, të gjitha të prodhuara në Nju Jork./ata