Me muzikë tradicionale, valle e ushqime të zonës u mbajt Festa e Kaninës, që bëri bashkë qytetarë e turistë të shumtë në Kalanë e Kaninës. Mbrëmjes i dhuruan spektakël këngëtarët më me zë të muzikës popullore si Ylli Baka, ndërsa nuk mungoi as përshëndetja e kryebashkiakut të Vlorës.

Nën atmosferën e këngëve tradicionale, valleve e kulinarisë u mbajt edhe këtë vit Festa e Kaninës. Në Kalanë shekullore të Kaninës, një nga zonat më të mrekullueshme të Vlorës qindra qytetarë ju bashkuan festës që për çdo 15 gusht lidh tradicionalen me të renë.

Muzika polifonike, këngë të artistëve të mirënjohur si Ylli Baka ndezën mbrëmjen.

Në këtë event traditë të çdo viti, ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku i Vlorës Ermal Dredha që e quajti ballkonin e Vlorës dëshmi për natyrën e mrekullueshme që vendi ynë ka.

“Askush nuk e vë në dyshim të vërtetën për Kaninën që natyra dhe njerëzit janë të bekuar, bashkon fisnikërisht detin me tokën, Vlorën me krahinat përreth, të shkuarën me të tashmen, lindjen me perëndimin. Jemi dëshmitarë të ndryshimeve rrënjësore, rritjen e turizmit e zhvillimet infrastrukturore”, u shpreh Ermal Dredha

Kanina, fshati që qëndron si ballkon mbi Vlorë, me një pamje të mrekullueshme mbi qytet, organizon festën çdo 15 gusht festën e saj. Atraksioni më i rëndësishëm e saj është kalaja e ndërtuar mbi një qendër të vjetër banimi./Shqiptarja