Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët bëri të ditur se autori i mirënjohur arbëresh, Karmine Abate sapo ka nisur në Itali, një tur prezantues për librin e tij të ri, “Ulliri i bardhë” (L’olivo bianco).

Libri i tij “Ulliri i Bardhë” sapo ka dalë nga shtypi, nga shtëpia botuese Aboca Edizioni. Libri tregon historinë e tre miqve që ndalojnë të bisedojnë për një zjarr në periferi të qytetit, por që sjellin brenda një Kalabri melankolike me spektrin e emigrimit dhe historinë e një të riu që u zhduk në mënyrë të mistershme.

Karmine Abate, lindur në Carfizzi, një qytet arbëresh në Kalabri, sot jeton në Trentino dhe konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mirë të Kalabrisë bashkëkohore. Me “Kodra e erës” (Mondadori 2012) ai fitoi çmimin e 50-të Campiello. Librat e tij, fitues të çmimeve prestigjioze, janë përkthyer në shumë vende.

Rritur në një familje arbëreshe, Abate është autor i shumë romaneve e tregimeve të suksesshme të vlerësuara me çmime të cilat konfirmojnë dashurinë dhe vëmendjen për rajonin e tij të origjinës./ata