Në Shqipëri po mbahet Ministeriali për Arsimin e Lartë Evropian dhe Procesin e Bolonjës, duke mbledhur së bashku ministra, zëvendësministra, përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe përfaqësues të organizatave nga vende të ndryshme të botës, ndërkohë Türkiye përfaqësohet në këtë ministerial nga kryetari i Këshilli të Arsimit të Lartë (YÖK), Erol Özvar.

Özvar mbajti fjalën e tij në panelin e parë me temë "Ndërtimi i urave-Avancimi i inovacionit, cilësisë dhe partneritetit", ndërkohë ai tha se universitetet turke po punojnë shumë për të përmirësuar mundësitë e programeve të tyre aktuale.

Ai theksoi se sfera e arsimit të lartë ka dëshmuar përparime të dukshme për shkak të evolucionit të shpejtë të teknologjisë digjitale, sipas tij, veçanërisht në fushën e inteligjencës artificiale.

"Është thelbësore të kesh një qasje krijuese dhe të jesh në gjendje të përshtatesh shpejt me përparimet e reja dhe të avancuara në një botë që po ndryshon shpejt. Kjo vlen edhe për sektorin e arsimit të lartë. Është e mundshme që koncepti i inovacionit të jetë më popullor se sa ka qenë ndonjëherë. Kjo temë mund të trajtohet nga këndvështrime të ndryshme", tha Özvar.

Ai shtoi se "çdo krizë që kemi hasur na ka mësuar se sa kritike është të miratojmë menjëherë strategji të reja".

"Tërmeti tragjik në Türkiye vitin e kaluar dhe pandemia COVID-19 na e kanë bërë të qartë vlerën e inovacionit dhe përdorimin e përshtatshëm të shërbimeve dhe teknologjisë digjitale në kohë krize", theksoi Özvar.

Ai shtoi se në Türkiye, kanë një kornizë për të vlerësuar dhe rritur efikasitetin e programeve arsimore. "Universitetet turke dhe sistemi i arsimit të lartë po punojnë shumë për të përmirësuar mundësitë e programeve të tyre aktuale. Ata janë plotësisht të hapur për bashkëpunime në proceset e sigurimit të cilësisë dhe akreditimit, me të gjitha institucionet dhe kombet brenda Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë për ta realizuar këtë", tha ai.

Në fund, Özvar theksoi se të gjithë do të përfitojnë nga bashkimi i burimeve dhe shkëmbimi i ekspertizës dhe përvojave.

Ministeriali dyditor organizohet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë dhe mbledh përfaqësues të lartë të arsimit nga Zona Evropiane e Arsimit të Lartë dhe vende të tjera./aa