Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti teksa ka folur shkurt për dialogun tha se tashmë Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje e jo vetëm dialog.

Kurti nuk ka komentuar takimin që zhvilloi dje me ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

Pas takimit përmes një komunikate për media të lëshuar nga Qeveria e Kosovës u tha se temë diskutimi në këtë takim ishte dialogu Kosovë-Serbi e nevoja për dorëzim të Milan Radoiçiqit në Kosovë.

Këtë koment të shkurtër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e bëri pas ceremonisë së lançimit të projektit të Këshillit të Evropës “Nxitja e kohezionit shoqëror duke përforcuar të drejtat e pakicave dhe gjuhët e pakicave”.

Derisa tha se i pret shumë punë përpara, Kurti listoi edhe disa nga veprimet që kanë ndërmarrë si ekzekutiv për qasje të barabartë.

Drejtori i të Drejtave të Barabarta dhe Dinjitetit në Këshillin e Evropës, Jeroen Schokkenbroek deklaroi se të drejtat e njeriut janë në zemër të misionit të Këshillit të Evropës, prandaj theksoi se në këtë botë komplekse mbrojtja e të drejtave të njeriut është më e rëndësishme se kurrë.

Sipas tij përmes iniciativave të tilla synohet ndërtimi i një shoqërie gjithëpërfshirëse.

Ndërsa, shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Mary Ann Hennessey teksa shpalosi objektivat e projektit tha se synohet fuqizimi i kapaciteteve institucionale për respektimin e të drejtave të pakicave.

Ajo theksoi se projekti “Së Bashku” në kohezion shoqëror duke përforcuar të drejtave e pakicave kombëtare ka për qëllim të ofroj mundësi arsimi në gjuhën e pakicave. /KosovaPress/