Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump paraqiti ankesë të mërkurën kundër vendimit të Gjykatës së Lartë të shtetit Kolorado që e ndalonte atë të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme.

Ndërsa Trump po përgatitet për zgjedhjet presidenciale në nëntor, ai po merret gjithashtu me padi dhe vendime ligjore kundër tij për rolin e tij në sulmin e 6 janarit 2021 në Capitol.

Trump kundërshtoi vendimin e gjykatës më të lartë të shtetit më 19 dhjetor që e shpalli atë fajtor për rolin e tij në trazira dhe e ndaloi të marrë pjesë në zgjedhjet paraprake në shtet, duke kërkuar nga Gjykata e Lartë e SHBA-së që ta rrëzojë vendimin.

Avokatët e Trumpit argumentuan se asnjë gjykatë shtetërore nuk mund të pengojë një kandidat presidencial të paraqitej në fletëvotim dhe se Gjykata e Lartë e Kolorados ka keqinterpretuar dispozitat përkatëse kushtetuese.

Gjykata e Lartë e SHBA-së pritet të shqyrtojë kërkesën dhe të nxjerrë një vendim së shpejti.

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë të Kolorados, Sekretarja e Shtetit në Maine, Shenna Bellows njoftoi më 28 dhjetor se Trump nuk do të lejohet të merrte pjesë në zgjedhjet paraprake të Partisë Republikane të shtetit për shkak të rolit të tij në trazira.

Në përputhje me vendimin, emri i Trumpit nuk do të shfaqet në fletëvotimet në zgjedhjet paraprake të asnjërit shtet më 5 mars, ku do të konkurrojnë kandidatët republikanë.

Gjykata e Lartë e SHBA-së tani do të marrë vendimin përfundimtar për fushatën elektorale të Trumpit në të dy shtetet./aa